2014-11-18 14:10:48

U paraqitën udhëtimet e Papës Françesku në Strasburg e në Turqi


Për dy herë, gjatë javës së ardhshme, Papa Françesku do të marrë avionin për të shkuar fillimisht në Parlamentin e Strasburgut, më 25 nëntor e, pastaj, në Turqi, nga 28 deri më 30 nëntor, ku do të takohet me Patriarkun Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeu I. Të dyja këto udhëtime u paraqitën gjatë një konference për shtyp nga zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi. Udhëtimi i fundit i një pape në Strasburg ka qenë ai i Gjon Palit II, në vitin 1988, nënvizoi atë Lombardi:
“Kuadri i sotëm është vërtet shumë i ri e kjo justifikon udhëtimin e Papës, i cili përmes tij do t’i flasë gjithë Evropës, jo vetëm Bashkimit Evropian, por mbarë kontinentit e popujve të tij”.
Përsa i përket polemikave për konfuzionin, që mund të shkaktojë fakti se Papa është kreu i një feje dhe kreu i një shteti njëkohësisht, ja përgjigjja e atë Lombardit:
“Ajo që do të vija në dukje e, që të gjithë e dimë shumë mirë, përfshirë Papën vetë, është se Papa nuk është kreu i një shteti me fuqi ushtarake, ekonomike, ose me interesa politike të veçanta. Prania e Atit të Shenjtë në botën e organizmave ndërkombëtare është ajo e një autoriteti të madh e të njohur në nivel botëror, që prej shekujsh. Është prania e një autoriteti të madh me karakter fetar e moral, përfaqësues i një bashkësie të shumënumërt, siç është ajo e Kishës Katolike. Vetë institucionet e shtetet dëshirojnë të kenë marrëdhënie me këtë autoritet e të kenë përfaqësuesit e tyre pranë tij. Kjo do të thotë se autoritetet politike të botës e kuptojnë dhe e pranojnë rëndësinë e mesazhit që sjell Papa e të mendimit të tij për problemet e vlerat e mëdha të njerëzimit si: paqja, drejtësia, mirëqënia, bashkëjetesa ndërmjet popujve”.
Ndërkaq, udhëtimi në Turqi mund të shihet në vazhdën e traditës së vizitave papnore në atë vend e të marrëdhënieve me Patriarkanën e Kostandinopojës, me të cilin Selia e Shenjtë shkëmbejnë delegacionet për festat e ndërsjella. Më 30 nëntor është pikërisht festa e Patriarkanës, ajo e shën Andreut e gjithsesi, një delegacion vatikanas shkon si zakonisht për të marrë pjesë, ashtu siç vjen në Romë një delegacion nga Patriarkana në festën e shën Pjetrit e të Shën Palit, më 29 qershor. Atë Lombardi shpjegoi arsyet e këtij udhëtimi:
“Natyrisht, ka një vëmendje të veçantë për vendin mikpritës, pra për Turqinë. Turqia ndodhet në Lindjen e Mesme, kemi çështjen e dialogut ndërfetar, sepse ajo është me shumicë myslimane, por ka një bashkësi të vogël katolike, e cila, si zakonisht kur Papa udhëton jashtë Vatikanit, merret parasysh me kujdes për ta inkurajuar e vizituar. E siç e dimë, aty ndodhet selia e Patriarkanës Ekumenike me Patriarkun Bartolomeu, me të cilin kemi dialog vëllazëror miqësie prej kohësh”.
Gazetarët pyetën nëse Papa do të takohet me refugjatët e konfliktit aktual në Siri e në Irak, të cilët janë strehuar në Turqi. Ja përgjigjja e atë Lombardit:
“Në takimet e Stambollit, me të rinjtë dhe në katedrale, sigurisht do të ketë njerëz, që nuk janë vetëm vendasit, por që arrijnë nga anë të ndryshme. Prandaj, aty mund të jetë rasti, ku sigurisht, mund të gjejmë një prani të këtij lloji”.
Udhëtimi i Papës në Turqi do të ketë kryesisht karakter ekumenik e do të kurorëzohet me nënshkrimin e deklaratës së përbashkët me Patriarkun Bartolomeu.








All the contents on this site are copyrighted ©.