2014-11-18 15:12:51

Papa: largimi nga pushteti i parasë është kthim i vërtetë në Zotin


Të mos bëhemi të krishterë të vakët, të leverdisë, apo të dukjes. Këtë këshillë dha sot Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Vatikan. Kthimi në udhën e Zotit, nënvizoi, është hir, është “vizitë, që na bën Hyji”. E për të folur mbi këtë temë, qendër e homelisë së tij, Ati i Shenjtë mori shkas nga Libri i Zbulesës së shën Gjonit dhe nga takimi ndërmjet Jezusit e Xakeut në Ungjill. Në leximin e parë, Zoti u kërkon të krishterëve të Laodicesë të kthehen në udhën e Perëndisë, sepse gati po flinin. Jetonin në përshpirtërinë e rehatisë, komentoi Papa. Çdo gjë u shkonte mirë, por askush nuk duhej t’i shqetësonte. Përshpirtëria e rehatisë është mëkat, nënvizoi Ati i Shenjtë. Zoti u thotë se do t’i vjellë nga goja. Së dyti, nuk kursen as ata, që jetojnë sa për t’u dukur. Janë të krishterë, që mendojnë se jetojnë, por kanë vdekur. Dukja është qefini i këtyre të krishterëve. Duhet të pyesim veten, tha Papa:
“A jam unë ndër këta të krishterë sa për t’u dukur? Jam i gjallë brenda meje, a kam një jetë shpirtërore? A e ndjej Shpirtin Shenjt, a e dëgjoj, a shkoj përpara, apo jo? Nëse çdo gjë duket se shkon mirë, nuk mund ta qortoj vetveten: kam një familje të mirë, njerëzit nuk flasin keq për mua, kam ç’më nevojitet, jam martuar në kishë… jam ‘në hirin e Tënzot’, jam i qetë. Dukjet! Të krishterë sa për sy e faqe… Këta kanë vdekur! Duhet të kërkojmë diçka të gjallë brenda vetes e, me kujtesë e kujdes, ta përtërijmë që të ecë përpara. Të kthehemi pra, në udhën e Zotit: nga dukja në realitet! Nga vaktësia në entuziazëm”.
Thirrja e tretë për t’u kthyer në udhën e Zotit shihet tek Xakeu, kreu i pasur i publikanëve. Është i korruptuar, tha Papa, punonte për të huajt, për romakët, e tradhtonte vendin e vet:
“Ishte si drejtuesit e shumtë, që njohim: i korruptuar. Këta, të cilët, në vend që t’i shërbejnë popullit, e shfrytëzojnë atë për t’i shërbyer vetvetes. Sa ka nga këta në botë! E njerëzit nuk e donin Xakeun. Ky nuk ishte i vakët, as i vdekur. Ishte në gjendje kalbëzimi! I korruptuar e hiç tjetër! Por, ndjeu diçka brenda vetes: këtë shërues, këtë profet që thonë se flet kaq bukur, unë dua ta shoh, për kuriozitet. Shpirti Shenjt është dinak, eh! E i mbolli në zemër farën e kureshtjes e ai njeri, për të parë Jezusin, u bë edhe qesharak. Mendoni një drejtor të rëndësishëm, një të korruptuar, në krye të drejtuesve – se ashtu ishte Xakeu – të ngjitet në një pemë për të parë procesionin. Mendoni sa qesharake!”
Por, Xakeu nuk pati turp. Donte ta shihte e brenda tij “punonte Shpirti Shenjt”. Pastaj, Fjala e Zotit hyri në zemrën e tij e bashkë me të, edhe gëzimi. Të krishterët e rehatit e të dukjes e kanë harruar ç’është gëzimi, ndërsa ky i korruptuar e kupton menjëherë dhe ndryshon, kthehet në udhën e Zotit, duke premtuar t’u kthejë njerëzve katër herë më shumë nga ç’u kishte vjedhur:
“Kur kthimi prek xhepin, atëherë është i sigurtë. Të krishterë me zemër? Po, të gjithë. Të krishterë me shpirt? Të gjithë. Por të krishterë nga xhepi, pak eh! Pak. Ndërsa këtu, kthimi erdhi menjëherë: fjala e vërtetë. U kthye, por para tij, fjalët e atyre, që nuk e donin këtë kthim, sepse nuk donin të ktheheshin ata vetë në udhën e Zotit. Duke parë ç’bëhej, mërmërisnin për Jezusin: ‘hyri në shtëpinë e një mëkatari!’, pra, u ndye, humbi pastërtinë. Duhet të purifikohet, sepse hyri në shtëpinë e një mëkatari”.
Janë tri, thirrjet e Zotit për t’u kthyer në udhën e Tij, përmblodhi Papa Françesku në fund të homelisë. Jezusi fton të vaktit, të rehatshmit dhe të krishterët sa për sy e faqe të kthehen në udhë të drejtë. Fjala e Zotit, theksoi Ati i Shenjtë, është në gjendje të ndryshojë gjithçka, por jo gjithnjë kemi guximin e nevojshëm për t’i besuar kësaj Fjale, që na e shëron shpirtin nga brenda. Papa kërkoi që këto ditë të fundit të vitit liturgjik, para se të fillojë Koha e Ardhjes, në përgatitje të Krishtlindjes, të mendojmë shumë e seriozisht për kthimin e zemrave tona kah Hyji.








All the contents on this site are copyrighted ©.