2014-11-14 14:37:18

Shenjtorët e javës


E diel 16 nëntor kalendari kishtar kremton të dielën e 33-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë sot kujton edhe shën Margeritën e Skocisë e shën Gjeltruden, virgjër benediktine.
Të hënën më 17 nëntor kalendari kujton Shën Elizabetën e Hungarisë, terciare françeskane. E pra vetëm ai që do ta ketë dhuruar plotësisht jetën, do të shpërblehet në ditën e mbramë. Ndërsa kush ia mbyll vëllezërve portat e zemrës, nuk është në gjendje ta pranojë ardhjen e Zotit.
Të martën më 18 nëntor do të kremtohet përvjetori i Shugurimit të Bazikës vatikanase (1626) dhe i Bazilikës ostiense (1854). Kjo festë kujton se lutja e vazhdueshme dhe bamirësia, janë dy cilësitë që e dallojnë të krishterin, i cili sillet kështu sepse përpiqet t’i ngjajë Zotit. Duke jetuar me lutje e dashuri, ecim të sigurt në rrugët që çojnë drejt qiellit.
Të mërkurën më 19 nëntor kalendari kujton shën Matilden, virgjër e shën Abdinë, profet. Festa e tyre na kujton se Hyji i bën pjesëtarë të jetës së vet hyjnore të gjithë ata që vdesin në bashkim me Të

Të enjten më 20 nëntor, kalendari kujton shën Edmondin martir, pajtor i Anglisë. Pas pushtimit të tokave angleze që ishin nën mbretërimin e tij, ushtarët danezë, që e zunë rob, i kërkuan të mohonte fenë në Krishtin, në këmbim të jetës dhe të kurorës mbretërore, por Shën Edmondi zgjodhi kurorën e lavdisë qiellore. Varri i tij gjendet në afërsi të Kembrixhit.
Të premten më 21 nëntor, kalendari përkujton Paraqitjen e së Lumes Virgjër Mari në Tempull. Sipas traditës së lashtë, që tregohet edhe në disa nga shkrimet apokrife, Zoja iu kushtua Hyjit në tempull që kur ishte fëmijë. Në këtë mënyrë ajo e përgatiti trupin dhe shpirtin për të pritur fjalën që do të bëhej njeri në kraharorin e saj. Ky përkujtim ka rëndësi ekumenike, sepse misteri i paraqitjes së Zojës në tempull ka gjetur jehonë të gjerë në botën ortodokse.
Më shtunën më 22 nëntor, kalendari përkujton Shën Çeçilien, virgjër e martire. Jetoi në kapërcyell të shekullit II dhe III dhe kulti i saj u përhap para lejimit të besimit të krishterë. Në vitet 1500 u hap sarkofagu i saj dhe trupi i shenjtores u gjet i ruajtur mirë, mbështjellë një mëndafsh të qëndisur me ar. Skulptori Maderna gdhendi atëherë statujën e famshme të mermerit, që është riprodhimi besnik i pamjes dhe i pozicionit të trupit të martires së hershme.
Të dielën e ardhshme më 23 nëntor Kisha katolike kremton Solemnitetin e Krishtit Mbret dhe mbyll vitin liturgjik 'A'. Gjithnjë më 23 nëntor kalendari përkujton shën Klementin I martir e Shën Kolombanin.
Përmes festës së Krishtit Mbret, Kisha na ofruar vizionin e sovranitetit të Krishtit në gjyqin përfundimtar, pra të mbramë të jetës. Jezusi paraqitet si Mbret e si Bari, që me ardhjen e tij të lavdishme do të gjykojë të gjithë njerëzit. Lënda e gjykimit është sjellja dhe veprat e çdonjërit që ka pasur gjatë jetës së vet tokësore, që duhen të orientohet drejt Zotit e drejt të afërmit tonë.
Shën Kolombani, nga Irlanda, jetoi ndërmjet shekullit VI-VII dhe në moshën 50 vjeçare la gjithçka, mori dymbëdhjetë shokë me vete dhe vendosi të bëhej shtegtar i Krishtit nëpër Evropë. Predikoi Ungjillin në Francë, Zvicër e Itali, ku edhe vdiq, dhe themeloi disa manastire që shkëlqyen, qoftë për disiplinë, qoftë për studime.







All the contents on this site are copyrighted ©.