2014-11-13 14:45:46

Imzot Gallagher: jam meshtar, pastaj diplomat


Para se ta konsideroj veten përfaqësues diplomatik të Papës, jam meshtar, Kështu paraqitet Sekretari i ri i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, i cili do të fillojë misionin e tij pas disa javësh, pasi ka qenë nunc apostolik gjithandej, së fundi, në Australi. Në mikrofonin tonë, imzot Gallagher flet për kontributin që mund të japë diplomacia vatikanase për bashkësinë ndërkombëtare.

Kur i bie qark botës e nunciaturave, si meshtar apo nunc, sheh në çdo vend mikrokozmosin e botës. Shumë nga problemet, që po përballon bota, janë të lidhura ndërmjet tyre. Sigurisht, tani kemi probleme të jashtëzakonshme përsa i përket zhvillimit të njerëzve dhe të shoqërive, aspiratave të tyre… Kemi një numër të konsiderueshëm konfliktesh, që lindin për shkak të varfërisë e të nënzhvillimit… Bota po varfërohet gjithnjë e më tepër. Pra, njerëzit janë të zhgënjyer e dëshpërohen.

Sa e rëndësishme është që Kisha Katolike të lidhet me qeveritë e botës? Njerëzit mund të thonë se ajo përfaqëson një fe, prandaj nuk ka nevojë për marrëdhënie diplomatiko-politike…

Është çështje historike, u zhvilluam në këtë mënyrë. Gjatë përvojës sime, kam hasur kundërshtime tejet të vogla ndaj Selisë së Shenjtë si entitet. Përkundrazi, ajo shihet si vlerë e madhe. Kuptohet se punojmë e japim kontribut, që natyrisht, bazohet në fenë tonë, por edhe në përvojën dhe historinë e Kishës sonë.

Për ju, cili ka qenë shembulli, që keni ndjekur në shërbimin tuaj në nunciaturat e botës e tani, edhe në Romë?

Më kanë frymëzuar shumë njerëzit me të cilët kam punuar, nuncët, pranë të cilëve kam shërbyer vitet e shkuara… Pastaj, kur shkova në Burundi, në vitin 2004, zëvendësova kryeipeshkvin Michael Courtney, i cili qe vrarë. Të vish pas një njeriu, që kreu flijimin më të lartë, ka qenë vërtet me rëndësi të madhe për mua. Jam inkurajuar edhe nga shumë njerëz, që punojnë në Sekretarinë e Shtetit. Takohesh, rastësisht, edhe me karrieristë, por pjesa më e madhe e njerëzve, me të cilët kam punuar ishin vërtet të motivuar. Ja përse jam i bindur se është shërbim e kontribut shumë i vlefshëm. Nuk jam krejtësisht i sigurtë se të bësh diplomatin papnor është thirrje, sepse mendoj se duhet të impenjohemi shumë për të ruajtur me xhelozi thirrjen meshtarake në mesin e gjithë kësaj, nëse dëshirojmë të bëjmë diçka vërtet pozitive. Por sigurisht, është thirrje akoma e vlefshme brenda Kishës, që mund të japë kontribut për komunikimin dhe përfaqësimin e saj, sepse “i sqaron” Romës gjendjen e Kishave lokale dhe anasjelltas.







All the contents on this site are copyrighted ©.