2014-11-12 14:43:40

Papa kujton studentët e vrarë në Meksikë dhe dënon trafikun e drogës


Gjatë audiencës së përgjithshme, duke iu drejtuar shtegtarëve të gjuhës spanjolle, Papa u ndalua tek ngjarja dramatike e 43 studentëve meksikanë, zhdukur shtatorin e kaluar të cilët, sipas prokurorit të përgjithshëm të Shtetit të Guerreros, duhet të jenë djegur të gjallë nga tregtarët e drogës e flakur, më pas, në një gropë plehrash. Mendohet se masakra u krye me urdhër të kryetarit të bashkisë së Igualës, gruas së tij dhe përgjegjësit të tij për sigurinë publike:“Dëshiroj, në një farë mënyre, t’u shpreh meksikanëve të pranishëm këtu, si dhe atyre, që janë në atdhe, afërsinë në këtë çast të dhimbshëm për zhdukjen ligjore të studentëve, edhe pse dihet që u vranë”.
Një ngjarje që, për Françeskun, e bën të dukshëm realitetin dramatik të të gjithë kriminalitetit, që ekziston e fshihet pas tregtisë dhe trafikut të drogave.
Duke iu drejtuar, më pas, një grupi ushtarakësh kilianë, Papa kujtoi 30-vjetorin e nënshkrimit të traktatit të paqes në Argjentinë e Kili, duke vënë në dukje sidomos, vlerën e dialogut. Nuk duhet të vijojmë të grindemi për kufijtë, shtoi:
Solamente cuando hay voluntad de diálogo se solucionan las cosas…
“Vetëm kur ka dëshirë për dialog, zgjidhen problemet. E, dua t’i lartoj edhe një mendim plot mirënjohje Shën Gjon Palit II dhe kardinalit Samorè, që bënë aq shumë për ta mbrojtur këtë paqe ndërmjet nesh. Shpresojmë që të gjithë popujt në konflikt, të çdo tipi, si kufitar, ashtu edhe kulturor, do të angazhohen për t’i zgjidhur konfliktet në tryezën e bisedimeve, e jo me mizorinë e luftës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.