2014-11-12 16:19:06

Imzot Tomazi në OKB: të zhduken mbeturinat luftarake


“Luftërat dhe ndeshjet e armatosura janë gjithnjë dështim i politikës dhe i njerëzimit”. Kështu u shpreh kryeipeshkvi Silvano Tomazi, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Zyrës së OKB-së në Gjenevë, duke folur në Konferencën e shteteve nënshkruese të Konventës, që ndalon ose kufizon përdorimin e armëve të zakonshme, tepër të dëmshme, me pasoja të rënda për të gjithë, pa asnjë dallim.
“E drejta humanitare, pohoi imzot Tomazi, duhet të ketë një përmasë njerëzore themelore, për ta bërë të mundur bashkëjetesën kombëtare e ndërkombëtare. E kur bashkësia ndërkombëtare nuk arrin ta mbrojë paqen, nuk do të duhej të pranonte edhe një dështim të dytë, nënvizoi përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë, duke kujtuar Protokollin V të Konventës, që ka të bëjë me likuidimin e mbetjeve të lëndëve shpërthyese luftarake, adoptuar në vitin 2003 - një përpjekje modeste – nënvizoi prelati, për të shmangur rrezikun që njerëz të pafajshëm të katandisen në viktima të konfliktit, tashmë të përfunduar”.
Pjesëmarrja nuk është vetëm detyrim ligjor, shtoi, por, në radhë të parë, është detyrë morale ndaj njerëve e edhe detyrë politike, për të siguruar paqen në botë. Konfliktet e shumta të kohëve të fundit në Lindjen e Mesme, në Veriun e Afrikës, në Evropë, na kujtojnë përgjegjësinë tonë lidhur me mbetjet e lëndëve shpërthyese luftarake të braktisura. Prej këndej, duhet respektuar detyrimisht neni i 4-t i Protokollit, që përcakton detyrën e dhënies së informacioneve, duke përfshirë edhe njoftimet për popullsinë civile, mbi tipin e municioneve, që ruhen ose që janë braktisur si dhe mbi zonat e interesuara. Pa e respektuar këtë nen, do të ishte e pamundur të viheshin në jetë nenet e tjera të Protokollit. E nëse është e vërtetë se përgjegjësia i takon shtetit të interesuar, është e vërtetë edhe domosdoshmëria e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Shumica e konflikteve të sotme kanë të bëjnë me subjekte kombëtare, zonale e ndërkombëtare, shtetërore e jo shtetërore, e shumica e vendeve në konflikt janë në rrugë zhvillimi, prandaj jo gjithnjë i kanë mjetet e nevojshme për t’i kapërcyer pasojat e konflikteve të armatosura, kujtoi vëzhguesi i Selisë së Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.