2014-11-11 15:55:10

Papa Françesku: G20 të favorizojë paqen në Lindjen e Mesme e të ndalë dhunën ndaj pakicave


Vendet, që do të marrin pjesë në mbledhjen e ardhshme të G20-ës në Brisbane të Australisë të mos bëjnë diskutime e deklarata në parim. Kjo do të ishte për të ardhur keq, duke pasur parasysh gjendjet e krizës në të gjithë botën, të cilat kërkojnë zgjidhje. Kështu shkruan Papa Françesku në letrën për kryeministrin australian, Tony Abbot, para takimit, që do të mbahet më 15 e 16 nëntor.
Për të shmangur përfundime e rezultate, që nuk detyrojnë askënd t’i zbatojë, Ati i Shenjtë flet hapur. Mos u kufizoni vetëm në statistika e parime, u thotë ai të mëdhenjve të kësaj bote: pas fjalëve e numrave ka njerëz, familje, të papunë, të varfër, refugjatë, ndërsa në anën tjetër të barrikadës, kërkohen urgjentisht vendime kundër terrorizmit, tregtisë së paligjshme, shfrytëzimit të paskrupullt të ambientit, abuzimeve financiare.
Papa Françesku vetë nuk e lë të shkojë dëm asnjë rresht të letrës, duke uruar të arrihet një marrëveshje globale, që t’i hapë udhën një botëkuptimi politik “bujar” për gjendjet e vështira të vuajtjes. Rendi i ditës në Brisbane, vëren Ati i Shenjtë Bergoglio, përqendrohet kryesisht në përpjekjet për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë botërore, në mënyrë që të largohet fantazma e recesionit global. Jeni të gjithë një mendje, u vë në dukje Papa pjesëmarrësve, se duhen krijuar mundësi pune dinjitoze e të qëndrueshme për të gjithë, por kjo presupozon përmirësimin e cilësisë së shpenzimeve publike dhe të investimeve, promovimin e investimeve private, kërkon një sistem të përshtatshëm e të drejtë fiskal, një përpjekje të përbashkët për të luftuar evazionin e për të vënë në binarë sektorin financiar, në mënyrë që të garantohen ndershmëria, siguria dhe transparenca.
“Dua t’u kërkoj krerëve të shteteve e të qeverive të G20-ës – shkruan Papa Françesku – të mos harrojnë se pas diskutimeve politike e teknike janë në lojë shumë jetë e se do të ishte për të ardhur keq nëse diskutimet do të mbeteshin thjesht në nivelin e deklaratave në parim”. Të shumtë janë ata, që vuajnë për shkak të ushqimit të keq, ose nuk gjejnë punë, ose mënjanohen nga shoqëria, e cila, pa dashur, favorizon kështu veprimtaritë kriminale e madje, edhe shtimin e radhëve të terroristëve. Pa llogaritur këtu, vazhdon denoncimin Ati i Shenjtë, sulmin pa precedent mbi ambientin natyror, rezultat i një konsumizmi të shfrenuar, që do të sjellë pasoja të rënda për ekonominë botërore.
Papa hyn më pas në disa nga çështjet më të nxehta të çastit. “Gjithë bota – nënvizon – pret nga G20-a marrëveshjen më të gjerë të mundshme, e cila të sjellë, në kuadrin e ligjshmërisë së Kombeve të Bashkuara, ndalimin përfundimtar të agresionit të padrejtë kundër grupeve të ndryshme fetare dhe etnike në Lindjen e Mesme, përfshirë pakicat”. Duhen çrrënjosur shkaqet më të thella të terrorizmit, i cili ka arritur përmasa të paimagjinueshme deri tani, ngre zërin Ati i Shenjtë, duke theksuar se terrorizmi ushqehet me karburantin e varfërisë, të nënzhvillimit dhe të përjashtimit. Zgjidhja nuk mund të jetë vetëm me natyrë ushtarake, por duhet të përfshijë ata, që, në një mënyrë apo në tjetrën, i inkurajojnë grupet terroriste përmes përkrahjes politike, tregtisë së paligjshme të naftës, ose furnizimit me armë e teknologji. Krah kësaj, vazhdon Papa Françesku, urgjentisht, duhen bërë përpjekje në fushën e edukimit, për të krijuar vetëdijen e qartë se feja nuk mund të shfrytëzohet për të justifikuar dhunën. Gjendja në Lindjen e Mesme, denoncon sërish Ati i Shenjtë, hedh dritë mbi përgjegjësinë e bashkësisë ndërkombëtare në mbrojtjen e individëve dhe të popujve nga sulmet e skajshme kundër të drejtave të njeriut e kundër përbuzjes së plotë të së drejtës humanitare”.
Por sulmet janë edhe të llojeve të tjera. Papa përmend abuzimet me sistemin financiar, transaksionet që sollën krizën e vitit 2008 dhe spekullimet për të arritur fitime maksimale, të cilat konsiderohen si qëllim i fundëm i çdo veprimtarie ekonomike. Një mendësi, shkruan Ati i Shenjtë, me të cilën nuk do të arrihet kurrë paqja dhe drejtësia, pasi vetë njerëzit konsiderohen “hedhurinë”. E Papa përmend të ashtuquajturën “Agenda post-2015” të OKB-së. “Kam shpresë – përfundon ai – që të arrihet një konsensus thelbësor dhe efektiv mbi temat e propozuara në agjendë. Njëkohësisht, shpresoj që vlerësimi i rezultateve të këtij konsensusi të mos mbetet në treguesit globalë, por të merret parasysh përmirësimi i vërtetë i kushteve të jetës së familjeve më të varfëra dhe reduktimi i të gjitha formave të papranueshme të pabarazisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.