Papa formon një Kolegj për shqyrtimin e krimeve të rënda të klerit
Të përshpejtojë shqyrtimin e apelimeve për dënimet e anëtarëve të klerit, që kanë
kryer krime kundër fesë, sakramenteve dhe moralit. Ky është objektivi i Papës Françesku,
që me një “Rescriptum” të datës së sotme, themeloi një Kolegj prej 7 kardinajsh dhe
ipeshkvijsh, pjesë e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, me detyrë për të shqyrtuar
më shpejt çështjet e për të thjeshtuar procedurën. Rescriptum, apo “rishkrimi”, është
përgjigjja e Atit të Shenjtë ndaj çështjes së paraqitur gojarisht nga Sekretari i
Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i cili u takua me Papën për këtë problem
më 3 nëntor. Është fjala për të ashtuquajturat “delicta graviora”, pra, faje të rënda,
ku hyn edhe abuzimi me të miturit. Me fjalë të tjera, ligjit në fuqi për këto raste,
që i referohet Motu Proprio-s së Papës Gjon Pali II me titull “Sacramentorum Sanctitatis
Tutela” të vitit 2001, azhornuar më 21 maj 2010, i shtohet tani edhe kjo pjesë për
formimin e Kolegjit. Kryetari dhe anëtarët e Kolegjit emërohen drejtpërdrejt nga Ati
i Shenjtë. Këtij organizmi të veçantë do t’i besohen disa nga çështjet, që shqyrtohen
normalisht në Seksionin e Zakonshëm të Kongregatës, por nëse apelimi paraqitet nga
një ipeshkëv, atëherë çështja nuk mund t’i kalojë Kolegjit. Seksioni i Zakonshëm mund
të shqyrtojë edhe çështje, të cilat i ngarkohen drejtpërdrejt nga Papa. Gjithashtu,
ai informohet rregullisht për vendimet e Kolegjit të veçantë, për marrëdhëniet me
të cilin do të ketë edhe një Rregullore të Brendshme. Siç nënvizoi drejtori i Sallës
së Shtypit të Vatikanit, atë Federico Lombardi, kjo konsiderohet një zgjidhje e mirë
për të shmangur grumbullimin e tepruar të apelimeve.