2014-11-10 14:09:22

Papa, ipeshkvijve afrikanë: dialog konstruktiv me Islamin


Papa Françesku priti sot paradite në audiencë, ipeshkvijtë e Senegalit, të Mauritanisë, të Kepit të Gjelbër dhe të Guinea Bisaut, në vizitë “ad Limina”. Ati i Shenjtë nënvizoi se në këto vende afrikane, shpesh, të krishterët janë pakicë e megjithatë, dëshmojnë Krishtin me guxim e bujari. Prandaj, i këshilloi prelatët të punojnë për dialog konstruktiv me myslimanët.
Në fjalimin e tij, që e dorëzoi pa e shqiptuar, Papa Françesku e përqendron vëmendjen në dy tema kryesore: rrënjosjen e fesë së krishterë dhe dialogun me myslimanët. Ati i Shenjtë vë në dukje se feja e krishterë kërcënohet nga propozime fetare, që duket sikur e thjeshtojnë jetën në planin moral. Gjithashtu, edhe shoqëritë afrikane duhet të përballen me shekullarizimin në rritje. Për këtë arsye, Papa u kujton ipeshkvijve rëndësinë e formimit të shëndoshë doktrinor e shpirtëror të laikëve, në mënyrë që feja e krishterë të mos mënjanohet nga jeta publike. Njëkohësisht, u kërkon atyre t’i kushtojnë kujdes formimit të meshtarëve dhe t’u qëndrojnë atyre gjithnjë pranë.
Më pas, Papa flet për baritorinë familjare, duke pasur parasysh rezultatet e Sinodit të jashtëzakonshëm të Ipeshkvijve. Familja, nënvizon Ati i Shenjtë, është qeliza themelore e shoqërisë dhe e Kishës, është vendi ku mësohen bazat e fesë, parimet elementare të jetës në bashkësi, ku dëgjohet thirrja e Zotit për të mbushur radhët e Kishës me meshtarë e rregulltarë.
Një pjesë të rëndësishme të fjalimit, Papa Françesku ia kushton marrëdhënieve me fetë e tjera e sidomos, me myslimanët, të cilët përbëjnë shumicën, në zona të mëdha të Afrikës. Ati i Shenjtë kërkon dialog me ta, në mënyrë që të arrihet bashkëjetesa paqësore edhe aty ku mungon. Por, nënvizon se edhe Kisha duhet të dëshmojë dashurinë e Zotit për të gjithë, pa dallime fetare, ashtu siç bën shpesh në të vërtetë. “Disa nga Kishat tuaja – vë në dukje Papa në fund të fjalimit – janë të vogla, të brishta, por shumë të guximshme e bujare në kumtimin e fesë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.