Me 10 nëntor kalendari kujton Shën Leonin e madh, Papë
Kisha kremton sot Shën Leonin e Madh, njërin ndër Papët më të mëdhenj të historisë.
Papa Leoni i Madh i dha autoritet Ipeshkvit të Romës, promovoi paqen në kohë të vështira,
doktor i Kishës, sepse diti t’u qëndronte pranë besimtarëve me vepra baritore e me
predikime. Shërbëtor i së Vërtetës në Dashuri, teolog e bari i jashtëzakonshëm
shpirtëror, ky me pak fjalë është portreti i shën Leonit të Madh. “Duhet t'i ngjasosh
Bariut të Mirë, i cili shkon ta kërkojë delen e humbur dhe e sjell rishtas në grigjë,
duke e mbartur përmbi shpatulla. Kështu duhet të veprosh me ata që kanë dredhuar rrugë,
duke hyrë në shtigje të verbra, të cilat i çojnë larg së vërtetës. Duhet t'i rifitosh
për Zotin përmes lutjeve të Kishës së tij". Papa Leoni ia shkruante këtë letër
Timoteut, ipeshkvit të Aleksandrisë, më 8 gusht të vitit 460 - një vit para se të
vdiste - duke i dhënë këshilla që janë pasqyrë e vetë jetës së tij e duke treguar
se ishte bari që nuk i dënonte delet rebele, por i kthente në vath me dashuri e vendosmëri.
Mendimi tij përmblidhet në këto dy fragmente themelore: "Edhe atëherë kur duhet
të qortosh, mos e humb kurrë dashurinë” e sidomos, “mos harro se Krishti është
gjithçka për ne, me Të mund t'i arrijmë të gjitha”. Nuk është e rastit që Leoni
i Madh, Papë e doktor i Kishës, përballoi Atilën, kryetarin e Hunëve, për të cilët
shkruhej se ku vinte këmbën, nuk mbinte më bari, duke e bindur - i armatosur vetëm
me kryqin papnor - të mos marshonte mbi Romën dhe të tërhiqej përtej Danubit. Ky Takim
i vitit 452 pranë lumit Minçio mbetet edhe sot e kësaj dite një nga misteret e mëdha
në historinë e Kishës. “Një nga papët më të mëdhenj, që e kanë nderuar
Selinë romake”. Me këto fjalë mund ta përshkruajmë figurën e Shën Leonit të Madh.
Roli i pasardhësit të Shën Pjetrit është unik në Kishë, sepse “një apostulli të
vetëm iu besua, ajo që iu komunikua të gjithë apostujve”, është një nga fjalët e njohura
nga predikimet më të bukura të Shën Leonit të Madh, ipeshkvit të parë të Romës me
emrin Leon, Papës së parë, predikimet e të cilit kanë arritur deri në ditët tona.
E nga këto predikime, kujtojmë edhe fjalën e mbajtur nga Leoni i Madh në Koncilin
e Kalçedonisë, në vitin 451, i cili ngjalli aq shumë emocion e entuziazëm, sa Etërit
e Kishës pohuan njëzëri se “ishte vetë Pjetri që fliste me gojën e Leonit”. Posaçërisht
nga ky fjalim, e nga të tjerë, mbajtur gjatë polemikës kristologjike të këtyre viteve,
Papa Leoni vuri theksin mbi përgjegjësinë e Pasardhësit të Pjetrit, roli i të cilit
është unik në Kishë, sepse një apostulli të vetëm iu besua, ajo që iu komunikua të
gjithë apostujve, siç pohon Leoni në një nga predikimet e tij, mbajtur në festën e
Shën Pjetrit e të Shën Palit. Tregon kështu, se ushtrimi i parisë së Pjetrit ishte
i nevojshëm asokohe, ashtu siç është i nevojshëm edhe sot, për t’i shërbyer bashkimit,
karakteristik për Kishën e vetme të Krishtit. Leoni ishte predikatar
i madh, që ndiqej me interes nga mijëra besimtarë. Ai posaçërisht u mësoi besimtarëve
të asaj kohe – e fjalët e tij vlejnë edhe sot për ne – se liturgjia e krishterë nuk
është kujtim i ngjarjeve të kaluara, por aktualizim i realiteteve të padukshme, që
veprojnë në jetën e secilit. Ai ishte njeri i paqes e i dashurisë. Na mëson, kështu,
rrugën në të cilën duhet të ecim: në fe, mësojmë dashurinë. Papnia e Leonit
të Madh, që zgjati 21 vjet mbetet një nga më të rëndësishmet në historinë e Kishës.
E kjo, jo vetëm pse theksoi me forcë përgjegjësinë e pasardhësit të Pjetrit, por kryesisht
sepse këtë përgjegjësi diti ta ushtrojë mrekullisht mirë, në Perëndim e në Lindje,
duke ndërhyrë me maturi, vendosmëri e kthjelltësi, si përmes shkrimeve, ashtu edhe
përmes legatëve të tij. Mbeti kështu në kujtesën e Kishës si Kryebari që vijoi ta
kumtojë me sukses Ungjillin edhe në kohë tepër të vështira për Kishën, duke e lidhur
ngushtë liturgjinë, me jetën e përditshme të të krishterëve.