2014-11-09 16:09:15

E Diela me Papën e me Kishën


Veprimtaria kryesore e Papës sot, ishte lutja e Engjëllit të Tënzot, kremtuar me besimtarë të shumtë, në Sheshin e Shën Pjetrit.
Të pranishëm në Shesh, edhe përfaqësuesit e bashkësisë katolike venezuelane, që banojnë në Itali. Kishin me vete shtatoren e Zojës të Chinquinquira, që njihet edhe me emrin Kinita.
Një zejtar me origjinë venezuelane e me banim në Romë e realizoi në dru këtë kopje të shtatores origjinale të Zojës së Bekuar, që kremtohet në Venezuelë, posaçërisht në qytetin Marcaibo, në shtetin e Zulias.
Festa e Kinitës në Venezuelë kremtohet më 18 nëntor e dëshiron të tregojë me figurën e Zojës mes njerëzve, si zbret Hyjnia mbi tokë, që të kenë besim e ta jetojnë me gëzim jetën e përditshme. Për venezuelanët është akt publik feje e shprehje e unitetit kombëtar.

Ndërkaq në Romë kanë arritur prelatët e Konferencës ipeshkvnore të Senegalit-Mauritanisë, Guinea-Bissau, që nesër do të fillojnë vizitën e tyre “Ad Limina Apostolorum”

E në anën tjetër të Qytetit të Amshuar, Bazilika e dytë e madhe papnore, ajo lateranense, është në festë. Kremton, në atmosferë gazmore, përvjetorin e Kushtimit. Prandaj sot mbi këtë bazilikë, Kishë madhështore, që i përket mbarë krishterimit, janë ngulur sytë e gjithë botës së krishterë.

Italia kremtoi Ditën e 64-t të falënderimit, drejtuar Hyjit për të mirat e tokës. Me këtë rast Konferenca ipeshkvnore italiane i drejtoi besimtarëve një mesazh me temë: “Të bekohen frytet e tokës e të ushqehet Planeti”, lidhur edhe me Expo-në e Milanos, me titull: “Të ushqehet Planeti. Energji për jetën”.
E sot mbarë bota, por veçanërisht Evropa me viset e saj jo shumë kohë më parë, të ngujuara pas muresh e hekurash me gjemba, përkujtojnë një nga ngjarjet më të mëdha të kohëve moderne: shembjen e Murit të Berlinit, pas të cilit do të shembeshin njëri pas tjetrit, mure e gardhe të hekurta, për t’i hapur njerëzve të ngujuar, udhët e pafundme të botës. Nuk mund të mos i kushtojmë prandaj, hapësirën që meriton, lidhur ngushtë me rolin e Papës Gjon Pali II, të Selisë së Shenjtë e të Kishës universale në këtë ngjarje epokale. E të mos kujtojmë edhe shtegtimin apostolik të Papës Françseku në Shqipëri, ku pati rastin të takohet me “shenjtorë të gjallë”, të dalë pikërisht nga rrethimi gjysëm shekullor me gardh, pas të cilit humbën heroikisht jetën edhe 40 martirët, që pritet të lumnohen.







All the contents on this site are copyrighted ©.