2014-11-07 14:24:58

Papa: kujdes, që të mos bëheni “të krishterë paganë”, armiq të Kryqit


Edhe sot ka të krishterë paganë, që sillen si armiq të Kryqit të Krishtit. Është qortimi i Papës Françesku gjatë Meshës së sotme të mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Papa pohoi se duhet të ruhemi nga tundimet e mendësisë së botës, që e çojnë njeriun në rrënim. RealAudioMP3
Të krishterë, që ecin përpara në fe e të krishterë, që sillen si armiq të Kryqit të Krishtit! Papa Françesku e mori shtytjen nga fjalët e Shën Palit drejtuar Filipianëve, për t’i dalluar dy grupet e të krishterëve, të pranishëm sot, ashtu siç ishin në kohët e Apostullit të Popujve. Të dy grupet, tha Ati i Shenjtë, ishin në Kishë; të gjithë së bashku, shkonin në Meshë të dielave, lavdëronin Zotin, e quanin veten të krishterë. Cili është, atëhere, ndryshimi? Të dytët sillen si armiq të Kryqit të Krishtit. Të krishterë e armiq të Kryqit! Janë, shpjegoi Françesku, të krishterë, që jetojnë sipas mendësisë së botës, të krishterë për emër, me dy a tre tipare të krishtera e asgjë më. Të krishterë paganë. Me emër të krishterë e jetë pagane. Ose, shtoi, nëse duam të shprehemi ndryshe, paganë me dy penelata verniku të krishterë, njerëz që duken si të krishterë, nësa janë paganë:
“Edhe sot ka shumë prej tyre! E edhe ne duhet të jemi të vëmendshëm, që të mos shkasim në udhën e të krishterëve paganë, të krishterëve për sy e faqe. E tundimi përballë mediokritetit, mediokritetit të të krishterëve, të këtyre të krishterëve, është rrënimi i tyre, sepse zemra u voket, bëhen të vokët. E njerëzve të vokët Zoti u thotë një fjalë të fortë: ‘Pse je i vokët, po të vjell për goje’. Shumë e fortë, kjo! Janë armiq të Kryqit të Krishtit! Marrin emrin, por nuk i plotësojnë kërkesat e jetës së krishterë”.
Pali, vijoi Papa, flet për “qytetari” të të krishterëve. Ne jemi qytetarë të qiellit, vërejti. Qytetaria jonë është në qiell! E tyrja, në tokë. Janë qytetarë të botës, jo të qiejve. Qytetarë të botës! Me këtë emër e mbiemër. Ruhuni prej tyre, porositi Papa. Vërejti, kështu, se të gjithë, e edhe ai vetë, duhet ta pyesim veten: “Po unë, a kam ndonjë gjë nga këta? A thua kam ndonjë gjë nga mendësia e botës në shpirtin tim? Ndonjë gjë nga paganizmi?”:
“A më pëlqen të mburrem? Më pëlqejnë paratë? Më pëlqen kryelartësia, mendjemadhësia? Ku i kam rrënjët, ku jam qytetar? Në qiell, apo në tokë? Në botë, apo në shpirtin e botës? Qytetaria jonë është në qiell e, që aty e presim si Shpëtimtar, Zotin Jezu Krisht. Po e tyrja? Fati i tyre përfundimtar do të jetë dënimi! Këta të krishterë të lustruar do të mbarojnë keq. Shikoje, pra, mbarimin tënd: ku të çon kjo qytetari, që ti e ke në zemër? Qytetaria e botës, në rrënim, ajo e Kryqit të Krishtit, në takimin me Të”.
Papa, më pas, foli për disa shenja të zemrës, që të tregojnë se po shket drejt greminës së mendësisë së botës. Nëse ti i do paratë e je tejet i lidhur me ta, nëse je i lidhur me kotësitë e krenohesh për gjithçka, mos harro se po ndjek një rrugë të keqe! Ndërsa po të përpiqesh ta duash Zotin, t’i shërbesh në të tjerët, të jesh zemërbutë, i përvuajtur, shërbëtor i të tjerëve, je në udhë të mbarë. Karta e qytetarisë sate është e mirë: është e qiellit! Tjetra, përkundrazi, është qytetari që do të të sjellë vetëm të këqija. E Jezusi, kujtoi Ati i Shenjtë, i lutej vazhdimisht Atit qiellor t’i shpëtonte dishepujt e tij nga shpirti i botës, nga mendësia e botës, që të çon në humbje. Papa tërhoqi vëmendjen me shëmbëlltyrën e mbarështuesit të pasurive, që e mashtron të zotin, rrëfyer nga Ungjilli i sotëm:
“Si arriti ky mbarështuesi i Ungjillit deri në atë pikë, sa ta vidhte të zotin? Si arriti? Mbrenda ditës? Jo, pak nga pak. Sot një bakshish, nesër një dhuratë, e kështu, hap pas hapi, arrihet në korrupsion. Kjo udhë e mendësisë së botës, nëpër të cilën përshkohen armiqtë e Kryqit të Krishtit, të çon në korrupsion! E pastaj mbaron si mbarështuesi i Ungjillit, apo jo? Duke vjedhur ditën për diell”.
Papa rikujtoi fjalët e Palit, që kërkon të mbetemi të patundur në Zotin, pa lejuar të na ligështohet zemra, për të përfunduar, pastaj, në mosgjë, në korrupsion. Është hir i bukur ta kërkojmë këtë, tha Papa, të mbetemi lidhur ngushtë me Zotin. Atje është shëlbimi, është shndërrimi në lumni! Të fortë në Zotin, përfundoi, e në shembullin e Kryqit të Krishtit: përvuajtëri, varfëri, butësi, shërbim ndaj të tjerëve, adhurim, lutje!







All the contents on this site are copyrighted ©.