2014-11-07 17:02:34

Papa ipeshkvijve miq të Fokolarëve: të globalizohet vëllazërimi


Terrorizmi, persekutimet kundër të krishterëve dhe pakicave të tjera, shekullarizmi, fundamentalizmi janë disa nga sfidat, që na nxisin t’i kërkojmë me impenjim të përtërirë, me ngulm e durim udhët, që çojnë drejt bashkimit të të krishterëve. E ndërmjet tyre, udha kryesore është Eukaristia. Janë fjalët e shqiptuara nga Papa sot, gjatë takimit, në Vatikan, me pjesëmarrësit e Kuvëndimit ekumenik të ipeshkvijve, miq të Lëvizjes së Fokolarëve, përqendruar mbi temën: “Eukaristia, mister bashkimi”.RealAudioMP3

Dashuria për Fjalën e Zotit dhe dëshira për të jetuar në përkim me Ungjillin, bëjnë që të mungullojnë Kisha e bashkësi të ndryshme kishtare, të lindin miqësi të forta e të jetohen çaste të vërteta vëllazërie. Duke kujtuar këtë përvojë kaq të pasur, Papa i nxiti të pranishmit të jenë gjithnjë e më të vëmendshëm ndaj shenjave të kohës, t’i lypin Zotit dhuratën e dëgjimit reciprok e t’i binden plotësisht vullnetit të Tij. Në botën tonë të tronditur, nënvizoi Papa, fiton vlerë të re dëshmia e qartë e vëllazërimit si dhe ajo e bashkimit ndërmjet të krishterëve:
Ky vëllazërim është shenjë e ndritshme dhe tërheqëse e besimit tonë në Krishtin e Ringjallur. Nëse përpiqemi të kërkojmë, si të krishterë, t’u përgjigjemi në mënyrë energjike problematikave e dramave të shumta të kohës sonë, duhet të flasim e të veprojmë si vëllezër, në mënyrë të tillë, që të gjithë ta kuptojnë lehtësish atë që themi e që bëjmë”.
Edhe kjo është një mënyrë, shtoi Papa, për t’iu përgjigjur globalizimit të indiferencës, me globalizmin e solidaritetit e të vëllazërisë:
Fakti që në vende të ndryshme mungon liria për ta dëshmuar publikisht fenë e edhe për ta jetuar haptas, sipas kërkesave të etikës së krishterë; persekutimet kundër të krishterëve e të pakicave të tjera; fenomeni i trishtuar i terrorizmit; drama e refugjatëve e shkaktuar nga luftërat e nga shumë arsye të tjera; sfida e fundamentalizmit e, nga ana tjetër, i shekullarizmit të tejskajshëm, të gjitha këto realitete interpelojnë ndërgjegjen tonë si të krishterë e si barinj”.
Këto sfida, shpjegoi Ati i Shenjtë, janë thirrje për të kërkuar rrugë të reja, që çojnë kah bashkimi. E, ndër këto udhë, ajo më kryesorja, është Eukaristia si mister bashkimi. “Në Eukaristi, përfundoi Papa, e ndjejmë thellësisht se uniteti është dhuratë e, njëkohësisht, edhe përgjegjësi, përgjegjësi tejet e rëndë”.









All the contents on this site are copyrighted ©.