Më 9 nëntor përkujtojmë shugurimin e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran
Kalendari kishtar më 9 nëntor përkujton shugurimin e Bazilikës së Shën Gjonit në
Lateran, Katedralen e Romës. Në aktet e martirizimit
të Shën Justinit e shokëve të tij, shkruhet: “Pyeti atëherë prefekti Rustiko: ‘Ku
mblidheni?”. Justini u përgjigj: “Ku mundemi e ku na pëlqen; ti kujton se ne mblidhemi
të gjithë në të njëjtin vend, por nuk është ashtu, sepse Zoti i të krishterëve, që
është i padukshëm, nuk mund të mbyllet në një vend të vetëm; ai mbush përplot qiellin
e tokën, prandaj nderohet e lumnohet kudo nga ata që besojnë në Të”. Duke dhënë këtë
përgjigje të guximshme, Shën Justini përsëriste para gjykatësit, atë që Jezusi ia
kishte thënë Samaritanes: “Më beso mua, grua, po vjen koha kur nuk do ta adhuroni
Atin as në këtë mal, as në Jeruzalem. Ju adhuroni atë që s’e njihni, ne adhurojmë
atë që e njohim, sepse shëlbimi vjen prej judenjve. Por po vjen koha – e tani është,
kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në vertetësi” (Gjn. 4,
21-24). Festa e sotme, që na kujton ditën kur Bazilika e Lateranit iu kushtua
Shëlbuesit, sigurisht që nuk i kundërvihet dëshmisë së Shën Justinit, e aq më pak
Fjalës së Krishtit. Pa harruar se i krishteri e ka për detyrë të lutet kudo e kurdoherë,
që në kohët e para të krishterimit u ndje nevoja për t’u mbledhur në vende ku besimtarët
mund të luteshin, të shpallnin Fjalën e Zotit dhe të rijetonin së bashku vdekjen dhe
ngjalljen e Krishtit, duke vënë në jetë fjalët e Tij: “Merrni e hani të gjithë; merrni
e pini të gjithë; bëjeni këtë në përkujtimin tim!” Fillimisht këto takime bëheshin
ndër shtëpi private, edhe sepse Kisha nuk njihej nga autoritet perandorake. Por kjo
njohje do të arrihej shumë shpejt e bashkë me të, do të fillonte edhe ndërtimi i vendeve
të kultit të krishterë, ndërmjet të cilëve, tempujt më madhështorë të krishterimit:
Bazilika e Shën Gjonit në Lateran, e Shën Pjetrit në Vatikan, e Shën Palit në Ostiense
dhe e Shën Marisë së Madhe në Eskuilin. Bazilika Lateranense u themelua nga Papa
Melkiadhi (311-314) në trojet e dhuruara nga perandori Kostandin pranë Pallatit
Lateranens, asokohe seli perandorake, më pas seli papnore. Lindte kështu ‘Kisha nënë
e të gjitha kishave të Romës e të Botës’. Më pas bazilika u shkatërrua disa herë e
disa herë edhe u rindërtua. Në këtë Kishë dhe në Pallatin Lateranens (sot seli e Vikariatit
të Romës) u kremtuan pesë koncile, përkatësisht në vitet 1123, 1139, 1179, 1215 e
1512. Bazilika e Shën Gjonit në Lateran, simbol i fesë të të krishterëve të shekujve
të parë, që kishin nevojë të mblidheshin në një vend të përbashkët e të shuguruar
për të kremtuar Fjalën e Zotit dhe Misteret e Shenjta, mbetet simbol i të krishterëve
të të gjitha kohërave, pa harruar se tempulli i gjallë e i vërtetë i Hyjit duhet të
jemi ne vetë”.