8 nëntori 1462 datë e 'Formulës së Pagëzimit' shkruar nga imzot Pal Engjëlli
Duke shfletuar kalendarin historik, më 8 nëntor, përkujtojmë datën e shkrimit
të dokumentit kishtar të kryeipeshkvit të Durrësit, imzot Pal Engjëllit, në gjuhën
kishtare të kohës, latinisht, në të cilin dokument gjendet në gjuhën shqipe “FORMULA
E PAGEZIMIT”, që deri më sot konsiderohet si dokumenti i parë shqip që njihet e që
mbanë datën e 8 nëntorit të vitit 1462. Dokumenti i kryeipeshkvit shqiptar
imzot Pal Engjëllit, mik, këshilltar e bashkëpunëtor i afërt i Gjergj Kastriotit,
Skenderbeut, ruhet në bibliotekën Laurentiane të Firencës dhe për herë të parë është
gjetur nga historiani rumun Nicolae Jorga më 1915. Dokumenti është fryt i vizitës
baritore që kryeipeshkvi shqiptar imzot Pal Engjëlli bëri si bari e udhëheqës shpirtëror
i grigjës së Zotit, nëpër Kisha famullitare dhe vise të kryedioqezës së Durrësit.
Në mbarim të kësaj vizite imzot Pal Engjëlli paraqet pasqyrën e gjendjes së organizimit
të Kishës, situatën e vështirë të banorëve e besimtarëve, problemet e mëdha ekonomike
e rreziqet që i kanoseshin aso kohe popullsisë dhe duke u lënë porosi, në rend të
parë priftërinjve por edhe besimtarëve (banorëve) të pagëzonin foshnjat në rast të
rrezikut të vdekjes me fjalët e Formulës së ritualit kishtar të Pagëzimit… “Unë
po të pagëzoj në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt”. Së fundi në këtë
dokument imzot Pal Engjëlli u kërkon Eprorëve të Kishës së Romës, Selisë së Shenjtë,
të ndihmojnë popullsinë e varfër e të vuajtur të këtyre viseve.