2014-11-06 13:54:52

Papa: i krishteri nuk ka frikë të ndyejë duart me të largtit


I krishteri i vërtetë nuk ka frikë të ndyejë duart me mëkatarët, të rrezikojë famën e tij, sepse ka në zemër Zotin, i cili dëshiron që askush të mos humbasë: kështu tha Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës.RealAudioMP3 Në qendër të homelisë së Atit të Shenjtë, dy shembëlltyra: ajo e deles së humbur dhe ajo e monedhës së humbur. Farisenjtë dhe skribët skandalizohen, sepse Jezusi flet me mëkatarët dhe ulet në tryezë me ta. Për atë kohë, vërejti Papa, ishte vërtet e paimagjinueshme diçka e tillë. Por Jezusi erdhi pikërisht për të kërkuar ata, që ishin larguar nga Zoti. E Hyji nuk i lë këta njerëz, nuk ndalet në gjysëm të udhës së shëlbimit, por shkon deri në fund, pavarësisht nga ç’merr si këmbim. Hyji nuk është afarist, nënvizoi Papa, nuk ka mendësinë e farisenjve e të skribëve, të cilët ishin të interesuar për bilancin humbje/fitim. Edhe meshtarët, kërkoi Ati i Shenjtë, nuk duhet të ndalen në mes të udhës, nuk duhet të çkurajohen kur nuk arrijnë t’i bindin të largtit, pra, ata që i rrinë larg Kishës:
“Të sjell trishtim bariu, që hap portën e Kishës dhe rri aty të presë. Të sjell trishtim i krishteri, që nuk ndjen brenda vetes, në zemrën e tij, nevojën për të shkuar e për t’u treguar të tjerëve se Zoti është i mirë. Sa e zvetënuar është zemra e atyre, që e dinë veten të drejtë, si këta skribë, si këta farisenj. Eh, ata nuk duan t’i ndyejnë duart me mëkatarët. Të kujtojmë si e mendonin: ‘Epo, sikur të ishte profet, do ta dinte që ajo është mëkatare’. Përbuzja. I përdornin njerëzit, pastaj, i përbuznin”.
Bariu i Kishës, vazhdoi më tej Papa Françesku, nuk mund të ndalet në mes të rrugës, pasi, duke imituar Krishtin, duhet të shkojë deri në fund, pa lënë askënd ta humbë shpirtin:
“Bariu i vërtetë, i krishteri i vërtetë, e ka këtë zell brenda vetes: askush të mos humbet. Prandaj, nuk ka frikë të ndyejë duart. Nuk ka frikë. Shkon, ku duhet të shkojë. Rrezikon jetën, rrezikon famën, rrezikon të humbasë rehatinë e vet, statusin, karrierën kishtare, por sillet si bari i mirë. Edhe të krishterët duhet të jenë kështu. Është shumë lehtë t’i dënosh të tjerët, siç bënin këta, që dënonin publikanët e mëkatarët, por kjo nuk është e krishterë. Nuk është sjellja e bijve të Zotit. Biri i Hyjit shkon deri në zgrip, jep jetën, siç e dha Jezusi për të tjerët. Nuk mund të rrijë i qetë, duke ruajtur vetëm vetveten: rehatinë, famën, qetësinë e tij. Mbajeni mend këtë: kurrë s’duhet të jeni barinj deri në gjysëm të rrugës! Të krishterë, deri në gjysëm të rrugës, kurrë! Bëni, siç bëri Jezusi”.
Bariu i mirë dhe i krishteri i mirë, theksoi Papa, del gjithnjë nga vetvetja për të shkuar drejt Zotit, përmes lutjes e adhurimit, por edhe përmes takimit me të tjerët, për t’u çuar atyre Lajmin e Mirë të shëlbimit. E kjo, me butësi e ëmbëlsi, përfundoi Ati i Shenjtë:
“Këta skribë e farisenj nuk e dinin ç’do të thotë të mbash mbi shpatulla një dele e me butësi, ta çosh në vendin e saj, me të tjerat. Këta njerëz nuk e dinin ç’është gëzimi. I krishteri dhe bariu, që ndalen në gjysëm të rrugës, ndoshta, dinë ç’është argëtimi, qetësia, një lloj paqeje, por gëzimi, ai gëzim që gjendet në Parajsë, ai gëzim që vjen prej Zotit, ai gëzim që rrjedh nga zemra e atit, i cili shkon për të shpëtuar dikë, atë nuk e dinë! ‘E dëgjova vajtimin e izraelitëve dhe po shkoj personalisht tek ata’. Kjo është bukuria vetë: të mos kemi frikë se mos na flasin mbrapa shpinës e të shkojmë për të takuar vëllezërit e motrat, që janë larg prej Zotit. Ta kërkojmë këtë hir për secilin prej nesh e për Nënën tonë, Shenjten Kishë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.