Më 6 nëntor kalendari kujton Shën Leonardin nga Noblak. Shenjti lindi në Gali
në fillim të shekullit VI, në kohën kur sundonte perandori Anastas. Prindërit e tij
ishin fisnikë e miq të mbretit Klodoveo, që e mbajti Leonardin në pagëzim. U rrit
i rrethuar nga kujdeset e familjarëve, që dëshironin të ndiqte karrierën ushtarake.
Por Leonardi nuk pranoi e u vu në shërbim të Shën Remigjit, kryeipeshkëv i Reimsit.
Prelati kishte leje nga mbreti për të kërkuar lirimin e të burgosurve që do të takonte.
Kjo leje iu dha edhe Leonardit, i cili arriti të lirojë një numër të madh fatzinjsh
që vuanin ndër pranga e t’i kthente në rrugë të mbarë. Kështu fama e tij nisi
të përhapej kudo, aq më tepër kur, në vend që të pranonte dinjitetin ipeshkëvnor,
ofruar nga mbreti Klodove, la gjithçka e u nis përmes pyjeve për të gjetur një strehë
vetmitare. Duke u endur pyjeve të Pavumit, takoi mbretëreshën, të cilën e kishin
zënë papritmas dhimbjet e lindjes, në sa kthehej në kështjellë nga një shtegtim i
gjatë. Lutja e shenjtit e ndihmoi ta kapërcente këtë situatë të vështirë e të nxirrte
në dritë një djalë të bukur. Për t’i shprehur mirënjohjen, Klodoveu i dhuroi Shenjtit
një pjesë të pyllit. Aty Leonardi ndërtoi kuvendin e dëshiruar, themeloi një uratore
për nder të Zojës së Bekuar, lartoi një elter kushtuar Shën Remigjit e hapi edhe
një pus, që u mbush me ujë në mënyrë të mrekullueshme. Aty jetoi derisa vdiq në Noblak
(Limozhë), më 6 nëntor të një viti të papërcaktuar, aty nga gjysma e shekullit VI.
Nderohet në mbarë Evropën si Pajtor i minatorëve.