Kujtojmë sot, më 9 nëntor, Imzot Bernardin Shllakun në përvjetorin e vdekjes.Ipeshkvi
i dioqezës së Pultit është një nga figurat më të diskutuara të hierarkisë katolike
shqiptare të shekullit të kaluar, sepse i vetmi prelat i mbetur gjallë në kohën kur
u nënshkrua Statuti i Kishës Katolike të Shqipërisë. Ishte një çast i rrezikshëm
politiko - fetar, që e vinte klerin katolik para një përgjegjësie të rëndë, përballë
politikanëve komunistë në vitet 1949-1951. Në këto kushte imzot Shllaku u takua me
Mehmet Shehun. Ai vetë na ka lënë këtë dëshmi: “Atë ditë ishte festa e madhe, festa
e Zemrës së Krishtit. Pikërisht atë ditë të bekueme më pat thirrë Mehmet Shehu
në kryeministri. Ndejem vetëm për vetëm. Më tha: ‘Ma jep dorën, monsinjor Shllaku,
dorën e besën shqiptare!’. Ia dhashë dorën, ma shtrëngoi fort e shtoi: “Qe besa e
burrave shqiptarë! Për nder të flamurit e të partisë, derisa të jem unë gjallë, ipeshkvijtë
shqiptarë, nëpërmjet kanalit të qeverisë, do të aprovohen prej Papës!”. Ndonëse
pa bindje të plotë, duke dashur të shpëtonte atë ç’mund të shpëtohej, imzot Shllaku
pranoi, me mendimin: “Kush të mbesë gjallë, të luftojë e të desë, në qoftë nevoja!
Na deri këtu e prumë!”. Imzot Bernardin Shllaku vdiq me 9 nëntor 1956, por
besa vazhdoi deri në rrënimin e madh të 1967-tës. E megjithëse në Rrëshen të Mirditës
Enver Hoxha kishte shpallë me të madhe: “Më në fund e ndamë Kishën katolike nga merimanga
e zezë e Vatikanit”; shkëputja e ndamja e Kishës katolike e Shqipërisë nga Selia e
Shenjtë nuk u banë kurrë. Ishte një besë që u mbajt gjallë me gjakun e martirëve,
dëshmitarë të Udhëheqësit të vetëm të njerëzimit, Jezu Krishtit Zot.
Në
përvjetorin e vdekjes, po e kujtojmë me një fragment nga dorëshkrimi i jezuitit
Atë Gjergj Vatës kushtuar Atë Pjetër Meshkallës, në qendër të të cilit është pikërisht
figura e ipeshkvit Bernardin Shkllakut, në çastet më kritike të jetës së tij e të
Kishës katolike në Shqipëri: "Në vitin 1961, mbasi Atë Meshkalla kishte dalë prej
burgut, shkova me ndejë me të. Kishem me vedi "Statutin e Kishës Katolike të Shqipërisë".
Ishem kureshtar me pa ç'gjykim do të jepte Atë Mëshkalla mbi lojën e rrezikshme politiko-fetare
luejtë nga kleri katolik dhe politikanët komunista në vitet ' 49 - ' 52. Mbasi u përshëndetëm
me shumë mall e dashtuni, nxora Statutin, e "Si të duket kjo paçavër" - i thashë. Ai
vuni buzën në gaz e m'u përgjegj: "Jo, ky librec asht fitore për klerin tonë, natyrisht
tue mendue me ke kemi të bajmë: me komunizmin ma të tërbuem, shartue mbi ideologjinë
e egër të shumicës sonë. Mandej ti e di se këtu, mbi Statut, rrin sogje Besa e dhanë
Shqiptare”. Mbas këtyne fjalëve, nuk m'u durue e ia ktheva: "Lum Pjetri, po më
duket se paske qenë në dijeni se si asht përpilue dhe si asht firmosë ky Statut”.
“Po - m'u përgjegj - a pak priftën kanë ra në burg sa me na i kallëxue fillë e
për pê ngjarjet që ndodhshin përjashta, a? E sidomos ato të kishës sonë?" “Ashtu
asht, por ato sende që ti nuk mujte me i ndigjue në burg e drejtpëdrejtë nga goja
e Monsinjor Shllakut, po t'i tregoj unë, sepse unë i shërbejshe si sekretar dhe i
çojshe shkresat për firmë. Çdo ditë, sa qe në gjendje, më thirrte me bisedue me të,
ndërsa Lezja, e kushërina, na piqte kafet. Me kafe përpara, fillojshim bisedat. Kam
përshtypjen, ma mirë me thanë bindjen, se Imzotin shpesh herë e brente ndërgjegja
për takimin me Mehmet Shehun. Për këtë ai u mundue me u justifikue sa ishte gjallë
dhe si fakt parashtronte se i gjithë kleri katolik shqiptar (simbas mendes së tij)
ishte dakord për veprimin që ai kishte krye. Për këtë dhe Monsinjor Gaspër Gurakuqi
kishte lëshue shprehjen e famshme të Shën Pjetrit: "In verbo tuo, laxabo rete". Një
ditë, tue pi kafet, i kuq si flaka në fëtyrë, Monsinjor Shllaku më tha: ‘Ndigjo Gjergj:
Atë ditë ishte festë e madhe, festa e Zemrës së Krishtit. Pikërisht atë ditë të bekueme
më pat thirrë Mehmet Shehu në kryeministri. Ndejem vetëm për vetëm. Më tha: "Ma jep
dorën, Monsinjor Shllaku, dorën e besën shqiptare!". Ia dhashë dorën, ma shtërngoi
fort e shtoi: "Qe besa e burrave shqiptarë! Për nder të flamurit e të partisë, derisa
të jem unë gjallë, ipeshkvijtë shqiptarë, nëpërmjet kanalit të qeverisë, do të aprovohen
prej Papës!”… Tash që më ndigjove, çka thue ti, Gjergj, për këtë lidhje me besa-besë?”. "Imzot
- i përgjegja - prej anës së kryeministrit qe një hap politik mjaft i goditun për
të zgidhë nenin që kishte ndalë firmen dhe aprovimin e Statutit të Kishës Katolike
Shqiptare. Ajo qe marrëveshje mes qeverisë dhe klerit katolik shqiptar. Veç ka vlerë
sa të jeni ju të dy gjallë. I pari që të desë prej ju të dyve, marrëveshtja prishet!". “Ashtu
asht - m'u përgjegj dhe, tue çue grushtin përpjetë, me sa fuqi pat, i ra tavolinës
me syprinë kristali, i cili u ba grimca-grimca, që u shkapërhapën nëpër qylym. E ai
shtoi: - Kush të mbesë gjallë, të luftojë e të desë, në qoftë nevoja! Na deri këtu
e prumë!”. Bisedën me Patër Mëshkallën e mbylla me këto fjalë: - Monsinjor Shllaku
ka dekë më 1957, por besa vazhdon. Ai ma priti: “A po e sheh, pra, sa pritje, durim,
shpresë e besim duhet të ketë njeriu te Zoti, te Besa, te Burrnia?!”. Megjithëse
në Rrëshen të Mirditës Enver Hoxha kishte shpallë me të madhe: "Më në fund e ndamë
Kishën katolike nga merimanga e zezë e Vatikanit"; shkëputja dhe ndamja nuk u banë
kurrë.