2014-11-05 14:42:26

Papa në audiencën e përgjithshme: të jesh ipeshkëv nuk është titull nderi, por shërbim


“Titulli ipeshkvnor nuk është titull nderi, është shërbim: nuk blihet, por pranohet me bindje, jo për t’u lartuar, por për t’u përulur, siç bëri Jezu Krishti, që u përul deri në vdekje, deri mbi kryq. Në Kishë nuk ka vend për mendësinë e botës”. Kjo është domethënia e fjalëve të Papës Françesku, shqiptuar sot gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar temës “Kisha hierarkike, Nënë e Shenjtë” .RealAudioMP3

Kisha e ushtron amësinë e vet përmes pranisë dhe shërbimit të ipeshkvijve, meshtarëve e diakonëve. E kujtoi Papa Françesku, duke shpjeguar se kjo është fytyra e vërtetë e Kishës, e Shenjtes Nënë, Kishës hierarkike, e cila na shoqëron gjatë gjithë shtegtimit tonë mbi tokë, që nga çastet kur lindim si të krishterë në gurrën e Pagëzimit, deri në ato më delikatet, çastet e provës, të vuajtjes, të vdekjes. Amësia e Kishës, shtoi Papa, shprehet posaçërisht në vetjen e ipeshkvit e të shërbimit të tij. Ashtu si pasardhësit e apostujve, zgjedhur nga Jezusi e dërguar prej Tij për të kumtuar Ungjillin e për të kullotur grigjën e Tij, kështu edhe ipeshkvijtë, pasardhësit e tyre, vihen në krye të bashkësive të krishtera, si garantë të fesë e si shenjë e gjallë e pranisë së Zotit ndërmjet këtyre bashkësive:
E kuptojmë, prandaj, se nuk bëhet fjalë për ndonjë pozitë me rëndësi, për ndonjë titull nderi, por për një shërbim. Kështu e deshi vetë Jezusi. Në Kishë nuk duhet të ketë vend për mendësinë e botës. Mendësia e botës thotë: ‘Po ky njeri bëri karrierë kishtare, u bë ipeshkëv”… Jo, jo! Në Kishë nuk duhet të ketë vend për këtë mendësi. Episkopati është shërbim e jo titull nderi, për t’u mburrur”.
Prandaj të jesh ipeshkëv, vijoi Papa, do të thotë ta kesh gjithnjë parasysh shembullin e Krishtit, që nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer:
“Ipeshkvijtë e shenjtë, e janë shumë në historinë e Kishës, shumë ipeshkvij të shenjtë, na tregojnë se ky shërbim nuk kërkohet, nuk blihet, por pranohet me bindje, jo për t’u lartuar, por për t’u përulur, ashtu si Jezu Krishti, ‘që e përuli vetveten, duke u bindur deri në vdekje, e në vdekjen mbi kryq’. Trishtohesh kur shikon sesi ndokush e kërkon këtë shërbim, bën çmos ta arrijë e, kur e arrin, nuk shërben, por krekoset, jeton vetëm për të kënaqur kotësinë e vet”.
Jezusi, shtoi Ati i Shenjtë, i zgjodhi dhe i thirri Apostujt duke i menduar jo të ndarë njëri nga tjetri, secili për llogari të vet, por së bashku, që të ishin gjithnjë me Të, si një njeri i vetëm, si një familje e vetme:
Edhe ipeshkvijtë përbëjnë një kolegj të vetëm, të mbledhur rreth Papës, që është rojtar e garant i këtij bashkimi të thellë, të cilin Jezusi e edhe vetë Apostujt e Tij, e kishin aq shumë për zemër. Sa bukur është, atëhere, kur ipeshkvijtë me Papën e shprehin këtë kolegjialitet dhe përpiqen të bëhen gjithnjë më shumë, më shumë, më shumë, shërbëtorë të besimtarëve e shërbëtorë në Kishë”.
E kjo ndodhi, kujtoi Papa Françesku, në Asamblenë e Sinodit kushtuar familjes. Mendimi i Atit të Shenjtë shkoi, atëhere, tek gjithë ipeshkvijtë e shpërndarë nëpër botë që, edhe pse jetojnë në vise, kultura, doke e tradita të ndryshme e të largëta, bëhen shprehje e lidhjes së thellë në Krishtin e ndërmjet bashkësive të tyre, duke ia vënë gjithnjë veshin Zotit e Shpirtit Shenjt e duke i kushtuar vëmendje të thellë njeriut e shenjave të kohëve. Prandaj bashkësitë e krishtera shikojnë tek ipeshkvi një dhanti të madhe e janë të thirrura ta ushqejnë bashkimin e thellë e të sinqertë me të:
Nuk mund të bëhet fjalë për një Kishë të shëndetshme, nëse besimtarët, diakonët e meshtarët nuk janë të bashkuar me ipeshkvin. Kisha, që nuk bashkohet me ipeshkvin, është Kishë e sëmurë. Vetë Jezusi e deshi këtë bashkim të mbarë besimtarëve, e edhe të meshtarëve e diakonëve, me ipeshkvin”.
Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Papa Françesku kujtoi se të dielën e ardhshme Kisha në Poloni do të kremtojë Ditën VI të solidaritetit me Kishën e persekutuar, sivjet kushtuar Sirisë:
Qëndroni pranë vëllezërve që, në këtë vend dhe në anë të tjera të botës, vuajnë për shkak të luftërave vëllavrasëse e të dhunës. Uroj që, falë bashkimit tuaj përmes lutjes dhe gjesteve konkrete të ndihmës materiale, ta ndjejnë praninë plot kujdes e dashuri të Krishtit”.Më pas, një mendim i posaçëm për të sëmurët me Sla, duke i siguruar se është pranë tyre, se i kujton gjithnjë në lutje e duke uruar që shoqëria civile t’i ndihmojë familjet e të sëmurëve për t’i bërë ballë vuajtjes, shkaktuar nga sëmundja e rëndë.








All the contents on this site are copyrighted ©.