2014-11-05 16:11:05

Ati i Shenjtë: Kisha të mos i bëjë njerëzit të presin me vite të tëra, për të marrë vesh nëse martesa anulohet, apo mbetet e vlefshme


Kisha të mos i bëjë të presin me vite të tëra ata, që kanë nevojë të marrin vesh nëse martesa është anuluar, apo ka mbetur e vlefshme”. Kështu u shpreh sot Papa Françesku, duke u takuar, në Sallën e Palit VI, në Vatikan, me pjesëmarrësit e një kursi, organizuar nga Gjykata Rota Romake.RealAudioMP3

Shtatorin e kaluar Papa themeloi një Komision të posaçëm studimi, për reformimin e procesit martesor kanonik, me synim që ta thjeshtojë procedurën, duke e bërë më të shpejtë e duke mbrojtur parimin e pazgjidhmërisë së martesës. Për këtë problem u fol edhe në Sinodin e kohëve të fundit, kujtoi Papa, për shkaqe drejtësie. Drejtësi, vijoi Ati i Shenjtë, domethënë që procedurat të jenë të drejta për njerëzit që presin. Sa njerëz, kujtoi, presin me vite marrjen e një vendimi. Vija, prandaj, është ajo e mbrojtjes së drejtësisë, pa harruar edhe atë të dashurisë së krishterë, sepse ka shumë njerëz që kanë nevojë për një fjalë të Kishës lidhur me gjendjen e martesës së tyre, që presin një ‘po’ a një ‘jo’, por që të jetë e drejtë. Ndërsa shpesh pritja e tyre është tejet e gjatë e, nganjëherë, edhe e rëndë aq sa njerëzit, në fund të fundit, heqin dorë. Papa citoi një shembull nga Buenos Ajres, ku disa njerëz, për të arritur në gjykatat kishtare, duhet të bëjnë një udhë më se 200 kilometra të gjatë:
“Nuk është e mundur; nuk mund të përfytyrohet që njerëz të thjeshtë, të zakonshëm, të shkojnë në Gjykatë: duhet të bëjnë një udhëtim të gjatë, të humbasin ditë të tëra pune. Pastaj kjo edhe kushton. E prandaj thonë: ‘Zoti më kupton e shkoj përpara kështu, me këtë barrë mbi shpirt’. E Kisha Nënë duhet të bëjë drejtësi e të thotë: ‘Po, martesa jote është anuluar. Jo, martesa është e vlefshme’. Por drejtësia kërkon që të thuhet kjo. Kështu ata mund të shkojnë përpara pa këtë dyshim, pa këtë terratisje në shpirt”.
Duhet shkuar përpara, pra, në udhën e shpejtimit të procedurave, sepse është Kisha Nënë ajo, që shkon t’i kërkojë bijtë e vet, për të bërë drejtësinë. Por jo vetëm:
“Duhet treguar edhe shumë vëmendje, që procedurat të mos jenë brenda kornizës së fitimit: e nuk flas për gjëra të jashtzakonshme. Ka pasur edhe shkanduj publikë. M’u desh ta largoj nga Gjykata një njeri, kohë më parë, që thoshte: ’10.000 dollarë e t’i bëj që të dy: gjyqin civil e kishtar’. Ju lutem, këtë jo! Gjithnjë në Sinod, disa propozime kërkuan që gjithçka të bëhet falas, gjë që duhet parë... Sepse kur interesat shpirërore sulmohen nga interesat ekonomike, kjo nuk vjen nga Zoti!”.
Kisha Nënë, pohoi në përfundim Papa, ka shumë bujari për ta bërë drejtësinë falas, ashtu si falas u shfajsuam nga Jezu Krishti. Prandaj ka shumë rëndësi të veçohet interesi shpirtëror, nga ai ekonomik. Së fundi Ati i Shenjtë i nxiti të pranishmit të ecin përpara e të kërkojnë gjithnjë shpëtimin e shpirtrave.









All the contents on this site are copyrighted ©.