2014-11-04 11:15:40

Raporti i “Ndihmë për Kishën që vuan”: liria fetare në rrezik. Të krishterët, më të persekutuarit


U paraqit sot në shumë vende të botës, raporti i publikuar dje në Francë nga Shoqata “Ndihmë për Kishën që vuan”, mbi lirinë fetare në botë. Nga dokumenti del qartë në pah keqësimi i përgjithshëm i lirisë fetare. Në veçanti, të krishterët konfirmohen si më të persekutuarit e globit, duke vijuar prirjen, që vërehet prej vitesh.
Nga 196 vende të botës, 81 e pengojnë lirinë e fesë me lloj-lloj mënyrash. Madje, në 20 vende, 14 prej të cilave janë myslimane, as që ekziston në praktikë liria për ta shpallur haptas fenë e krishterë. Në raport vihet në dukje me shqetësim prirja e Perëndimit për ta kufizuar fenë vetëm në sferën private. Ndërkaq, shtohen rastet e antisemitizmit dhe vetë myslimanët pësojnë dhunë nga ana e myslimanëve të tjerë, më integralistë. Për një koment mbi këtë raport, të dëgjojmë zëdhënësen italiane të Shoqatës “Ndihmë për Kishën që vuan”, Marta Petrosillo:
“Fatkeqësisht, prirja është negative e kjo nuk është risi e vitit 2014, sepse që prej disa vjetësh vërehet keqësimi i lirisë fetare – pak a shumë – në të gjithë botën, natyrisht, në forma të ndryshme. Kalojmë nga dhuna e ashpër antifetare në diskriminime të fuqishme. Në përgjithësi, vërehet ulja e tolerancës dhe kompromentimi i pluralizmit fetar. E kjo, edhe në kontinentin e vjetër. Të krishterët, shpesh, janë pakica më e shtypur. Në shumë vende – le të mendojmë, për shembull, për Lindjen e Mesme, ku të krishterët jetojnë prej shekujsh – janë sot pre e fundamentalizmit islamik. Në Evropë, ndeshemi me shtimin e episodeve antisemite dhe antimyslimane e kjo lidhet shpesh me konfliktin israelito-palestinez”.
Përgjegjësia për ta ndryshuar këtë prirje shqetësuese, nënvizohet në Raport, u takon, së pari, vetë bashkësive fetare. Prandaj, u bëhet thirrje të gjithë krerëve fetarë ta kundërshtojnë fuqishëm dhunën e ushtruar në emër të fesë.








All the contents on this site are copyrighted ©.