Papa: Zoti jep falas. Nuk duhet të jemi katolikë të vakët
Në Mbretërinë e Zotit, ligji “më jep, të jap” nuk vlen, pasi Hyji dhuron gjithçka
falas. Kjo ishte ideja qendrore e homelisë së Papës Françesku në meshën e sotme të
mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Nganjëherë, vuri në dukje Ati i
Shenjtë, për shkak të egoizmit, ose të dëshirës sonë për pushtet, e refuzojmë festën,
në të cilën Zoti na fton falas. Papa mori shkas nga shembëlltyra e Jezusit në
Ungjillin e sotëm. Dikush i thirri njerëzit në festë, por të ftuarit gjetën pretekste
për të mos shkuar. Ati i Shenjtë përshkroi sjelljen e këtyre tri vetëve. I pari, tha,
nuk shkon në festë, sepse dëshironte të shkonte në fushë, ta shihte e të ndihej pak
si i fuqishëm, kryelartë për pronën që kishte. Tjetri bleu pesë buaj, pra, u përqendrua
në punë, duke preferuar “të mos humbë kohë” me të tjerët. I fundit gjen pretekstin
se nuk dëshiron ta marrë gruan me vete në festë, se mos ia shihnin të tjerët. Ky është
egoist, komentoi Papa. Në fund të fundit, që të tre preferuan të bënin diçka për veten
e tyre, për interesin e tyre, sepse ardhja në festë nuk shpërblehej: “Nëse
ftesa do të ishte, për shembull: ‘Ejani, se kam dy o tre miq afaristë, që vijnë nga
një vend tjetër e mund të bëjmë diçka bashkë’, sigurisht, askush nuk do të kishte
munguar. Por ata frikësoheshin nga dhurata falas. Të bëheshin njëlloj me të tjerët,
atje… Egoizmi u thoshte të ishin ata, në qendër të gjithçkaje… Është e vështirë ta
dëgjojë zërin e Jezusit, zërin e Zotit, ai që sillet rreth vetvetes: nuk ka horizont,
sepse horizonti është ai vetë. E pas kësaj ka diçka tjetër, më të thellë: është frika
nga dhurata falas. Kemi frikë nga dhurata falas e Zotit. Është kaq e madhe sa na shtin
frikën”. Kjo ndodh, tha Papa Françesku, sepse përvoja e jetës na tregon se
mund edhe të vuajmë. Mendojmë se pas dhuratës së madhe do të na kërkojnë ndonjë gjë
edhe më të madhe si këmbim: “Jemi më të sigurtë në mëkatet tona, në kufizimet
tona, në shtëpinë tonë; të dalim nga shtëpia për t’iu përgjigjur ftesës së Zotit,
në shtëpinë e Hyjit, me të tjerët? Jo. Kam frikë. E të gjithë ne të krishterët e kemi
këtë frikë: të fshehur, brenda vetes… Jemi katolikë, por jo në tepri. Besojmë në Zotin,
por pa e tepruar. Kjo ‘jo me tepri’ na e shenjon jetën, na bën të vegjël, apo jo?
Na bën të tkurremi”. Kur shërbëtori i tha të zotit se të ftuarit nuk vinin,
ai u zemërua, sepse e pa se nuk e kishin përfillur. Prandaj, thirri në festë të varfërit,
sakatët, këdo që gjeti nëpër sheshet e nëpër rrugët e qytetit. Zoti i kërkon shërbëtorit
t’i detyrojë njerëzit të hyjnë në festë. Sa herë, nënvizoi Papa, Hyjit i duhet të
bëjë kështu me ne, me anë të sprovave, derisa të marrim vesh, derisa të kuptojmë: “Detyroji,
sepse festa është këtu. Është falas. E detyron atë zemër, atë shpirt të besojë se
Hyji jep falas, se dhurata e Zotit është falas, se shëlbimi nuk blihet: është dhuratë
e madhe. Dashuria e Zotit është dhurata më e madhe! Kjo do të thotë të japësh falas.
E ne kemi pak frikë, prandaj mendojmë se shenjtëria arrihet me gjërat tona dhe me
kalimin e kohës, kthehemi pak në pelagjianë, eh! Shenjtëria, shëlbimi është falas”. Jezusi,
shtoi në fund Ati i Shenjtë, e pagoi festën me poshtërimin e Tij, deri në vdekjen
në Kryq. E, edhe kjo është falas. Kur të shohim Kryqin, duhet të mendojmë se ai është
porta e hyrjes për në festën e Zotit. E nëse hyjmë në të, nuk do të zhgënjehemi, sepse
Krishti ka paguar gjithçka për ne. E vetmja gjë, që duhet të bëjmë, është ta hapim
zemrën.