Më 3 nëntor kalendari kujton Shën Martinin de Porres
Sot me 3 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Martinin de Porres, rregulltar
domenikan i Perus. Kishte dëshirë të madhe t’i përkushtohej krejtësisht Zotit
e të afërmit, e kështu veshi zhgunin e Etërve Domenikanëve pranë Kuvendit të Rruzares
Shenjte në Lima. Duke e konsideruar veten të padenjë për një dhuratë kaq të madhe,
jetoi me përvujtëri e thjeshtësi jetën rregulltare duke iu kushtuar lutjes e duke
u vënë në shërbim të nevojtarëve, posaçërisht të të sëmurëve, të gjitha aftësitë e
tija që kishte si njeri e si infermier. Martini edhe pse i varfër, i nëpërkëmbur,
punoi në mjekimin e plagëve trupore të të varfërve dhe në shërbimin e atyre morale
e kështu dhe një ndihmës të madhe në luftimin e mjerimit moral e material që kishte
qyteti i Limës. Ai u kujdes edhe për edukimin e fëmijëve duke ndërtuar për ta shkolla
e kolegje. Bir natyror i një kalorësi spanjoll dhe i një skllaveje zezake, Martini
i Porres do të bëhej këshilltar i zëvendës-mbretit të Spanjës, të cilin e linte të
priste mbrapa portës, në se ishte duke mjekuar ndonjë të varfër. Ky është, i pikturuar
me dy penelata, portreti i shenjtit-simbol të Amerikës Jugore, i cili diti të kapërcejë
kufizimet e epokës e të jepte mësimin e çmuar se të gjithë njerëzit janë vëllezër
e se ngjyrat e ndryshme të lëkurës ose ndryshimet e etnisë, janë pasuri e madhe e
jo shprehje papërsosurie. I lindur nga Anna Velasquez më 1579 në Shën Sebastian
të Limës, në Perů, Martini, hyri në Urdhrin e Domenikanëve, të cilët kishin themeluar
në Limë kuvendin e parë peruvian. Në fillim pranohet si terciar e kryen detyra shumë
të përvujta, por më pas dominikanët ia njohin vlerat. Ai ishte mistik, i pajisur me
karizma të jashtëzakonshme si dijen, mistiken, profecitë, aftësinë për të komunikuar
me të varfër e të gjitha shtresat shoqërore e madje edhe me kafshët (të cilat instinktivisht
i drejtoheshin atij për t'u mjekuar plagët e sëmundjet). Ndonëse nuk u largua kurrë
nga Lima, u pa në Afrikë, në Japoni e në Kinë, ku ngushëlloi misionarët që kalonin
kohë të vështira. Vdiq nga tifoja më 3 nëntor 1639 në moshën gjashtëdhjetë vjeçare. I
shpallur shenjt nga Gjoni XXIII, sot njihet si pajtor i berberëve e i parrukierëve.