2014-10-31 12:39:37

Shenjtorët e Javës sipas kalendarit kishtar


E diel, 2 nëntor, Kisha bënë Përkujtimin e besimtarëve të vdekur – apo siç njihet tek shqiptarët “Dita e të shuemve”. Liturgjia na kujton se njeriu asgjë nuk do të humbasë në historinë, që e ka jetuar duke ecur pas Krishtit: të gjithë jemi të Tijtë e Ai do të na dhurojë jetën e pasosur. Prandaj Jezusi mori natyrën njerëzore: për ta pastruar atë nga mëkatet e për t’i dhuruar amshimin.
Të hënën më 3 nëntor, përkujtohen shën Martini i Porres e shën Silvia, nëna e shën Gregorit të madh. Ata na kujtojnë se nuk e zgjedhim ne vendin ku do të rrimë në mbretërinë qiellore. Na e zgjedh vetë Hyji Atë. Është Ai, që na ka thirrur, që na jep një vend, një dhuratë. E natyrisht, sa më shumë t’ia besojmë vetveten, aq më e madhe do të jetë dhurata e Tij, të cilën sot për sot nuk jemi në gjendje as ta përfytyrojmë.
Të martën që vjen më 4 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Karl Borromeun, kryeipeshkëv i Milanos e kardinal si dhe shenjtorët Vitali e Agrikola, martirë bolonjezë. Liturgjia e festës na kujton se secili nga ne ka nevojë ta gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim.
Të mërkurën më 5 nëntor do të përkujtohen shenjtorët Domnini, Teotini me shokët martirë. Liturgjia e festës së tyre na kujton se kur duam me të vërtetë, nuk presim kurrfarë shpërblimi. Duam ashtu si na do Zoti, që na shpëtoi e na fton çdo ditë në tryezën e vet, pa kërkuar dhuratë tjetër, veç asaj të dashurisë për Të e për të afërmin.
Të enjten më 6 nëntor, kalendari kujton shën Leonardin vetmitar. Jepi, o Zot shërbëtorit tënd një zemër të përvujtë’: ta përsërisim së bashku këtë lutje që na kujton se feja në Krishtin na bën të lirë, e megjithatë shpesh herë vazhdojmë të jemi skllevër të besëtytnisë e të egoizmit.
Të premten më 7 nëntor, kalendari përkujton shën Ernestin, i cili ta na kujton se Zoti e bekon njeriun, që i do e i ndihmon me gjithë zemër vëllezërit, edhe pse i duhet të mbartë çdo ditë mbi supe kryqin e vet. Si mësuesi, ashtu edhe nxënësi. Kryqi është filli i kuq, që përshkon gjithë jetën tonë, bën pjesë në planin që ka Zoti për ne. Psenë e kësaj barre të rëndë që na vë mbi supe, duhet ta zbulojmë me lutje e reflektim.
Të shtunën më 8 nëntor kalendari përkujton shën Adeodatin I papë si dhe shenjtorët e Martirët, reliket e të cilëve pushojnë në paqe në Bazilikën e shën Pjetrit në Vatikan. Përkujtimi i këtyre shenjtorëve na kujton se ta kesh zemrën të lirë, nuk do të thotë t’i shembësh urat që të lidhin me të gjithë e me gjithçka, të jetosh sikur të tjerët të mos ishin, por do të thotë t’u japësh të gjitha gjërave peshën e drejtimin e duhur. Kështu mund të bëhemi nxënës që ulen për të mësuar çdo ditë në bankat e shkollës së Zotit.
Të dielën e ardhshme më 9 nëntor, Kisha katolike do të kremtojë të dielën festën e Kushtimit të Bazilikës së Lateranit në Romë, pra liturgjia na kujton se ky tempull është katedralja e ipeshkvit të Romës, Papës dhe Kisha nënë e të gjitha Kishave romake e, sidomos, se tempujt e ndërtuar nga duart e njeriut janë në shërbim të gurëve të gjallë, do të thotë të Kishës që secili nga ne është i thirrur ta ndërtojë në zemër të vet, së bashku me të gjithë vëllezërit.







All the contents on this site are copyrighted ©.