Më 2 nëntor - Ditën e përkujtimit të të vdekurve, u nisem simbolikisht për një shtegtim,
sa të dhimbshëm, aq festiv: shtegtim drejt varreve të të dashurve të vdekur, po edhe
drejt varreve të gjithë njerëzve që e kanë paguar me jetë besnikërinë ndaj idealeve
të mëdha në rrjedhë shekujsh e në kohët tona. Me këto ndjenja përulemi realisht e
simbolikisht mbi varret e panumërta, të përhapura në mbarë planetin, të vjetra e të
reja, varre martirësh e besimtarësh të thjeshtë, njerëzish të shquar e të panjohur,
nënash e baballarësh, vëllezërish e motrash. Përkulemi me lutje në buzë e me lot në
sy për të dashurit që më s'janë. Por, duke u ndodhur në vendet që të ngjallin një
trishtim të thellë, siç janë varrezat, nuk harrojmë se kjo ditë për Kishën e të krishterët
është një ditë e madhe feste. Ata që nuk i kemi më pranë, të vdekurit tanë që pushojnë
në paqe nën kryqat simbolikë, na kanë treguar me jetën e tyre se sa e frytshme është
fara që Krishti erdhi për ta hedhur në zemra të njerëzve qysh mbi tokë. E në këto
ditë, kur flitet kaq shumë për vdekje e të vdekur, kur njerëzimi dridhet për të sotmen
e të ardhmen e vet, Dita e të vdekurve na kujton, më shumë se kurrë, se bota nuk është
në dorë të njeriut, por në dorë të Zotit! Më 2 nëntor1946, kremtonte Meshën
e parë, don Karol Vojtila, i cili nga famullitar fshati, do të bëhej bari i Kishës
universale, Papë. Në librin e tij "Dhuratë e mister", Papa Shën Gjon Pali II e
shpreh kështu kuptimin e thellë të shugurimit të tij meshtarak të atij viti: "Në atë
shtrirje përdhè, në trajtë kryqi, para shugurimit, duke pranuar në jetën time, ashtu
si Pjetri, kryqin e Krishtit e duke u bërë, "dyshemè" për vëllezërit, qëndron kuptimi
më i thellë i çdo përshpirtërie meshtarake”. Ishte pra, 1 nëntori i vitit 1946,
kur Karol Vojtila mori sakramentin e urdhrit meshtarak nga kardinali Adam Sapieha
në Krakovi, në kapelën private të kryeipeshkëvijsë. I riu don Karol sapo kishte mbushur
26 vjet dhe ishte meshtari i vetëm që shugurohej në këtë rast. Meshën e parë
Papa e shenjti i ardhshëm e kremtoi të nesërmen, më 2 nëntor 1946, pikërisht në
ditën e përkujtimit të besimtarëve të vdekur. Vendi ku kremtohej Mesha, vërtetë simbolik,
ishte altari i kriptës romanike të Shën Leonardit, brenda katedrales së Krakovisë,
mbi kodrinën historike të Vavelit. Është një nga vendet më të nderuara nga polakët,
ku pushojnë në paqe tre mbretër, shumë ipeshkvij e njerëz të tjerë të shquar të kombit
polak. Simbolike edhe motua që zgjodhi prifti i ri për figuret e kujtimit të shugurimit
të tij: një frazë nga Magnifikat: "Gjëra të mëdha ka bërë në mua (i Gjithëpushtetëshmi)
Hyj! Pas qëndrimit dyvjeçar në Romë, për të plotësuar studimet në Universitetin
papnor Angelicum, më 1948 don Karol Vojtila u rikthye në Poloni, ku e priste në Niegovic
famullia e tij e parë kishtare. Disa muaj më pas, kardinali polak Sapieha e thirri
në Krakovi, qytet në të cilin Papa i ardhshëm do të bëhej kryeipeshkëv. Planet e pashqyrtueshme
të Hyjit e udhëhoqën kështu në rrugën, gjatë së cilës "famullitari i Niegovicit" do
të bëhej "famullitar i botës", Papa e Kishës universale. Por të kalojmë nga
kujtimet e Kishës universale, te kalendari kombëtar: Më 2 nëntor të vitit
1995 ndërroi jetë prof.. Anton Çeta, i cili arriti të bëhej që më të gjallë një
nga simbolet e urtisë shqiptare. Vepra e tij më e madhe qe udhëheqja e aksionit kombëtar
e njerëzor për pajtimin e gjaqeve në përpjekjen për të shëruar shoqërinë shqiptare
e për të paqtuar shpirtrat e trazuar të njerëzve, në Kosovë. Autor i një vepre masive
me përmbledhje folklorike të të gjitha gjinive e llojeve, duke nisur nga përrallat
e duke vijuar me baladat e legjendat, këngët e kreshnikëve, vajtimet, gjamët e të
tjera, profesori i gjuhës dhe i letërsisë së vjetër shqipe, Anton Çeta, la pas si
kryevepër të tij pajtimin e më se njëmijë gjaqeve. Mbeti model i përkushtimit atdhetar
e i fuqisë shpirtërore. Më 2 nëntor 1961 vdiq Prof. Aleksandër Xhuvani gjuhëtar
e atdhetar që dha një kontribut të shquar për lëvrimin e gjuhës shqipe. Drejtoi për
një farë kohe organin letrar të Elbasanit "Kopshti letrar", dha mësim në normalen
e Elbasanit; qe njohës i mirë i visarit leksikor të gjuhës shqipe; mblodhi me durim
e pasion nga gjuha e popullit shumë fjalë e shprehje, të cilat u përpunuan pas vdekjes
së tij në formë të një fjalori; realizoi botimin e dytë të “Fjalorit të gjuhës shqipe”
të K. Kristoforidhit (1961). Ndër shkrimet e tij kujtojmë: “Kritikë mbi fjalorë të
shqipes” (1934) dhe “Çështja e fjalorit të gjuhës shqipe” (1957), pa harruar se dha
mendime me vlerë për çështje të gramatikës historike, për leksikologjinë historike
të shqipes dhe për letërsisë e sidomos për letërsinë e vjetër dhe arbëreshe me tekstet,
antologjitë, artikujt e recensionet që botoi. Më 2 nëntor 1910 lindi
në Egjipt e madhja Tefta Tashko Koço, njëra nga këngëtaret më të mira lirike shqiptare,
e cila shkëlqeu në skenat e Evropës e të botës për interpretimet e mrekullueshme të
arieve nga operat më të mira botërore. Ishte këngëtare virtuoze e këngës popullore
shqiptare dhe mbi të gjitha, njeri me virtyte të larta morale. Vdiq më 1947 në kulmin
e karrierës, 37 vjeç.