2014-10-30 16:46:10

Imzot Auza: ka nga ata, që duan ta kufizojnë lirinë e ndërgjegjes


Respekti për jetën që nga zënia deri në vdekjen natyrore, zhdukja e dënimit me vdekje, liria e fesë dhe e ndërgjegjes, janë gjithnjë e më tepër në rrezik: këto ishin temat e fjalës së vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë në OKB. Imzot Bernardito Auza, para asamblesë së përgjithshme në Pallatin e Qelqit në Nju Jork.
Imzot Auza shprehu kënaqësinë për zvogëlimin e numrit të dënimeve me vdekje në të gjithë botën e kujtoi se Papa Françesku e ka quajtur dënimin me burgim të përjetshëm “dënim me vdekje të kamufluar”, prandaj kërkoi edhe heqjen e këtij dënimi nga ligjet botërore. Më pas, vuri në dukje kufizimin e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë në shumë anë të botës, sidomos persekutimin kundër pakicave fetare. Ndërsa, nga njëra anë, të krishterët duhet të luftojnë për të mbijetuar nga persekutimi i vazhdueshëm, nga ana tjetër, sidomos në botën perëndimore, liria fetare has në pengesa juridike e në sjellje diskriminuese, që e lënë fenë vetëm në sferën private, pa lejuar shprehjen publike të besimit fetar. “Një botë, që e respekton vërtet lirinë e fesë – nënvizoi imzot Auza – duhet të shkojë përtej tolerancës së thjeshtë”.
Temë tjetër, që trajtoi vëzhguesi i Vatikanit, ishte ajo e bujqësisë dhe e ushqimit. Ndërsa miliona vetë vdesin nga uria, theksoi imzot Auza, në anë të tjera të botës, çdo ditë, hidhen tonelata me ushqime. Kostoja njerëzore dhe shoqëroro-ekonomike e urisë, vuri në dukje ai, është e jashtëzakonshme, prandaj zhdukja e urisë nuk është vetëm përparësi, por edhe detyrë morale.








All the contents on this site are copyrighted ©.