2014-10-30 12:29:21

Gjon Pantalia, kushëriri Nënë Terezës, në përvjetorin e martirizimit.


Me 31 tetor kujtojmë përvjetorin e martirizimit të jezuitit shqiptar nga Prizreni, Shërbëtori i Zotit, Fra Gjon Pantalia S.J., martir i Krishtit në Shqipëri, kushëri i Nënë Terezës nga nëna .
Në sa flasim për të, po përmendim se më 10 nëntor 2002, në katedralen e Shkodrës, u hap procesi dioqezan për lumnimin e 40-martirëve, dëshmitarë të fesë, pothuajse gati të gjithë të vrarë gjatë persekutimit komunist. Ndërmjet tyre, edhe tre jezuitë: Atë Gjon Fausti, misionar jezuit italian; Atë Daniel Dajani dhe fratel Gjon Pantalia, jezuitë shqiptarë.
Po të ndalemi më hollësisht te figura e Martirit Gjon Pantalia, e kujtojmë se ai lindi në Prizren më 2 qershor 1887 në një familje të thjeshtë. Ishte kushëri i Nënë Terezës nga ana e s’ëmës.
Fëmijërinë e rininë e parë i kaloi duke punuar si çirak në pazarin e Prizrenit. Në vitin 1906, sapo i kishte mbushur 19 vjetët, hyri në Shoqërinë e Jezuitëve. Noviciatin e bëri në Itali e pikërisht në Soresina, në provincën e Kremonës. Ndonëse eprorët shprehën dëshirën që t’i vijonte studimet për t’u bërë meshtar, Gjoni deshi të mbetej thjeshtë vëlla-ndihmës, që në Shqipëri njihej me emrin fratel.
E, si ndodh shpesh që më të fundmit bëhen pikëmbështetje për të gjithë bashkësinë në të cilën jetojnë, Fratel Gjoni u bë frymëzues i të gjitha veprimtarive shoqërore e kulturore të Kolegjit, njeri-kyç i Institutit të Jezuitëve të Shkodrës, që kishte emrin e Françesk Saverit e që u bë fidanishte e meshtarëve, avokatëve, politikanëve e mësuesve të ardhshëm.
Gjon Pantalia kishte një mori detyrash: profesor, këshilltar pedagogjik, shkrimtar, drejtues shpirtëror. Shpëtoi nga arrestimi shumë nga nxënësit e tij shqiptarë, që kërkoheshin në fillim nga ushtritë pushtuese italiane e më pas nga ato gjermane.
U përpoq, ndonëse tepër i mbikëqyrur, të shpëtonte objekte me vlerë të Kolegjit e të gjente avoketër që pranonin të mbronin meshtarët e arrestuar gjatë persekutimit të tmerrshëm komunist, i cili që nga viti 1945 vuri në shënjestër gjithë bashkësinë katolike e sidomos jezuitët.
Po Gjon Pantalia s’u tremb: përkundrazi. Bëri çmos që veprimtaritë shkollore të vijonin sa më mirë që të ishte e mundur, duke acaruar kështu edhe më keq regjimin e kuq e ateist. Ky acarim kundër tij arriti kulmin pas arrestimit të Atë Gjon Faustit dhe të rektorit të Kolegjit, Atë Daniel Dajanit, sepse në këtë periudhë, më shumë se kurrë, frateli mbeti përgjegjës moral i Shoqërisë së Jezuitëve në Shqipëri.
Për të shmangur reagimet, u arrestua pa bujë në tetorin e vitit 1946. U torturua mizorisht. E rrahën, e munduan me korrent elektrik, i ngulën spica druri të ndezura ndër thonj: provuan mbi trupin e tij gjithë koleksionin e mjeteve të torturës shpikur nga sigurimi famëkeq i shtetit diktatorial. Pastaj e mbyllën në kuvendin françeskan të Gjuhadolit, shndërruar në burg. Qelia e tij ishte ngjitur me Kishën, por ai nuk qe më në gjendje as të gëzohej për këtë, sepse i shkatërruar fizikisht nga torturat.
Pavarësisht nga kjo gjendje, provoi të ikte por, i ligsht siç ishte, gjatë përpjekjeve për t’u larguar, ra nga dritarja dhe theu të dyja këmbët: e lanë të vuante pa u kujdesur fare për të. Ditët e fundit të jetës i kaloi mes dhimbjesh çnjerëzore, deri sa i mbylli sytë si martir, më 31 tetor 1947, si dëshmitar besnik i besimit në Zotin dhe i atdhedashurisë. Për këtë Kisha e ka radhitur në aradhet e lumnueshme të martirëve - Jezuitin shqiptar, Vëlla Gjon Pantalinë.Jezuiti shqiptar Gjon Pantalia në përvjetorin e martirizimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.