2014-10-30 14:41:33

Ajër e drita të reja për Kapelën Sikstine


Pas tre vjetësh studimi Kapela Sikstine më në fund është gati për t’u paraqitur në shkëlqimin e saj të plotë: mbrëmë janë ilustruar para shtypit dy impiantet e reja, një i klimatizimit, trajtimi e ndërrimi i ajrit dhe tjetri i ndriçimit me teknologjinë LED. “ Janë afresket e Mikelanxhelos e të piktorëve tjerë të mëdhenj që na falënderojnë”, shpjegoi në mikrofonin e Radio Vatikanit drejtori i Muzeve të Vatikanit profesor Antonio Paolucci, i cili nënvizoi impenjimin e Selisë së Shenjtë për ruajtjen dhe vlerësimin e pasurisë artistike.
Me fjalët e Benediktit XVI thënë me rastin e 500-vjetorit të përurimit të kupolës së Mikelanxhelos, duam të ripohojmë “...se pasuria artistike e Qytetit të Vatikanit përbën një lloj shëmbëlltyre të madhe, përmes së cilës vetë Papa u flet burrave e grave nga të katër anët e botës, prej këndej, me kultura e fe të ndryshme, njerëz që ndoshta nuk ia lexojnë kurrë fjalimet, nuk ia dëgjojnë kurrë homelitë”. Kisha pra është e bindur që“… udha e bukurisë është e aftë t’i udhëheqë mendjet e zemrat e njerëzve kah i Amshuari e t’i ngrejë deri në lartësitë e Zotit”.
Kapela Sikstine, pohon profesor Antonio Paolucci, drejtor i Muzeve të Vatikanit, e cila i tërheq me një forcë të pakundërshtueshme njerëzit, mbetet objekt i dëshiruar, nga i cili, populli i muzeve e shtegtarë, të ardhur nga të katër anët e botës, nuk mund të heqin dorë. Nga dita, pikërisht mase pesëqind vjet më parë, kur Mikelanxhelo përuroi qemerin e afreskuar, historia e artit në Romë, në Itali e në Evropë ndryshoi rrënjësisht. Asgjë nuk ishte si më parë.
E pikërisht Selia e Shenjtë – pohon profesor Paolucci-t - dëshiron që mos të kufizohen në asnjë mënyrë hyrjet në këtë kryeqendër arti siç është Kapela Sikstinë.
Ndonëse, siç mendon me të drejtë Drejtori i Muzeve të Vatikanit, numri i madh i vizituesve mund edhe ta dëmtojnë kryeveprën e papërsëritshme, e pikërisht për këtë arsye, sot në kushte moderne ajo mbrohet nga pluhurat dhe ndotjet e tjera me mjetet më të përparuara të teknikës, që ndërrojnë ajrin, rregullojnë temperaturën dhe lagështirën, rregullojnë dritën duke krijuar kushtet e përshtatshme të domosdoshme që kryevepra artistike, ardhur deri në shekullin tonë, të jetojë edhe në shekujt që do të vijnë, dhuratë për breznitë e ardhshme, me urimin të pasohet nga kryevepra të tjera.







All the contents on this site are copyrighted ©.