Vijojmë shfletimin e veprës “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar
nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort, gjatë muajit të Rruzares. Të dëgjojmë
se ç’parashikon shenjti për të ardhmen e devocionit të Zojës. Pavarësisht se shkruan
shumë vite më parë, fjalët e tij tingëllojnë aktuale edhe sot.
113.
Besoj e shpresoj më shumë se kurrë në gjithçka kam vulosur në zemër e që ia lypi
Zotit prej shumë vitesh, domethënë: që shpejt a vonë Virgjëra e shenjtnueshme do të
ketë më shumë se kurrë bij, shërbëtorë, shërbëtore e skllevër dashurie e që, me këtë
mjet, Jezu Krishti, Zotëria im i dashur, do të mbretërojë më shumë se kurrë ndër zemra.
114.
Parashoh se shumë egërsira të tërbuara do të sulen për ta shqyer me dhëmbët e tyre
djallëzorë këtë shkrim të vogël, e edhe atë që i shërbeu Shpirtit të Shenjtë për ta
shkruar, ose do të bëjnë çmos ta mbyllin në errësirën dhe heshtjen e ndonjë bauleje,
që të mos e shohë kurrë dritën e shtypit. Do t’u sulen e do t’i perndjekin edhe ata,
që do ta lexojnë e do ta jetojnë. Por s’ka rëndësi! Aq më mirë! Ky vegim më jep zemër
e më bën të shpresoj sukses të madh, domethënë, një skuadër ushtarësh guximtarë e
kreshnikë të Jezusit e të Marisë, burra e gra, për të luftuar në botë kundër djallit
e kundër natyrës së prishur, në kohët e rrezikshme, që do të vijnë. “Qui legit,
intelligat. Qui potest capere, capiat!” “Kush të lexojë, të kuptojë. Kush të mund
të kuptojë, ta marrë vesh”.