Papa: të rrimë brenda Kishës, të mos ndalemi në hyrje
Kishën e bën Jezusi, që nuk sheh mëkatin e njeriut, por zemrën e tij, të cilën e kërkon
për ta shëruar. Papa Françesku, gjatë homelisë së meshës së mëngjesit në Shtëpinë
e Shën Martës në Vatikan, reflektoi mbi Ungjillin e ditës, i cili tregon lindjen e
Kishës, si edhe mbi interpretimin e shën Palit Apostull, që e përshkruan Kishën si
një ndërtesë, e cila ngrihet mbi themele të fuqishme. Punën më të madhe, nënvizoi
Ati i Shenjtë, e bëri Jezusi para 2000 vjetësh, kur zgjodhi 12 shtylla mbi të cilat
ndërtoi Kishën, duke vendosur vetveten si gur të këndit. Pastaj i hapi dyert e saj
për këdo, pa dallim, sepse Krishtit i intereson t’i dojë e t’i shërojë zemrat e jo
të numërojë mëkatet. Papa përmendi veprimet që karakterizojnë lindjen e Kishës. Jezusi
tërhiqet në lutje, pastaj zbret, shkon tek dishepujt, zgjedh 12 prej tyre e njëkohësisht,
mirëpret e shëron edhe atë, që vetëm sa e prek: “Jezusi lutet,
Jezusi thërret, Jezusi zgjedh, Jezusi i fton dishepujt, Jezusi shëron turmën. Brenda
këtij tempulli, ky Jezus, që është guri i këndit, bën gjithë këtë punë: është Ai,
që e çon përpara Kishën kështu. Siç thoshte shën Pali, kjo Kishë është ngritur mbi
themelin e Apostujve. Ata i zgjodhi Jezusi: zgjodhi 12. Të gjithë mëkatarë, të gjithë.
Juda nuk ishte më mëkatari: nuk e di kush ishte mëkatari më i madh… Juda, i shkreti,
qe ai, që e mbylli zemrën para dashurisë, prandaj u bë tradhtar. Por të gjithë ikën
në çastin e vështirë të Mundimeve dhe e lanë vetëm Jezusin. Të gjithë ishin mëkatarë,
por Ai i zgjodhi”. Jezusi, tha Papa Françesku duke cituar shën Palin, na do
brenda Kishës jo si miq, ose të huaj, por si qytetarë me të gjitha të drejtat. Në
Kishë, theksoi sërish Ati i Shenjtë, nuk jemi kalimtarë. Aty i kemi rrënjët. Jeta
jonë është aty: “Ne jemi qytetarë, bashkëqytetarë të kësaj Kishe. Nëse nuk
hyjmë në këtë tempull e nëse nuk jemi pjesë e ndërtesës në mënyrë që Shpirti Shenjt
të banojë në ne, nuk jemi të Kishës. Mbetemi tek dera e shohim brenda: ‘Po sa bukur…
po, po qenka bukur’… Të krishterë, që nuk shkojnë përtej pragut të Kishës; janë aty,
te dera… ‘Natyrisht po, jam katolik, por jo në tepri… ja, kështu”. Kjo është
sjellje pa kuptim para dashurisë dhe mëshirës që tregon Jezusi për çdo njeri, vijoi
më tej Papa. Mjafton të kujtojmë qëndrimin e Krishtit ndaj shën Pjetrit, të cilin
e pati vënë në krye të Kishës. Megjithëse e mohoi, Jezusi e fali dhe e la në vendin
e mëparshëm: “Jezusi nuk pyeti për mëkatin e Pjetrit: kërkonte zemrën e tij.
Por për ta gjetur këtë zemër e për ta shëruar, u lut. Jezusi që lutet e Jezusi që
shëron, edhe për secilin prej nesh. Ne nuk mund ta kuptojmë Kishën pa këtë Jezus,
që lutet e pa këtë Jezus, që shëron. Shpirti i Shenjtë na ndihmoftë ta kuptojmë, të
gjithë ne, se Kisha e ka forcën në lutjen e Jezusit për ne dhe është e aftë të na
shërojë të gjithëve”.