2014-10-28 10:28:26

Më 28 tetor 1958 zgjidhej si Papë Gjoni i XXIII


Papa Shën Gjoni XXIII mirësia e zemrës në shërbim të Ungjillit. Më 28 tetor 1958 niste papnia e Atit të Shenjtë Ronkali.
Me 28 tetor 1958 zgjidhej si Papë Gjoni i XXIII. Niste kështu një papni e shkurtër, që zgjati vetëm pesë vjet, e që prapëseprapë diti të përtërijë thellësisht jetën e Kishës dhe të besimtarëve. Mjafton të përmendim dy ngjarje që mbajnë nënshkrimin e Papës Ronkali: caktimin e Koncilit II Vatikanas dhe botimin e enciklikës “Pacem in Terris”.
Të gjithë e quajnë Të Lumin Gjon të XXIII “Papa i mirë”, gjithnjë i gatshëm për t’iu qasur vuajtjeve të të afërmit dhe për të dhuruar një buzëqeshje atyre që kërkojnë pak dashuri. Një mirësi ajo e Papës Ronkali, që nuk fillonte e mbaronte tek vetvetja por e rrënjosur thellësisht tek bindja se pa mëshirën lajmit të mirë të Ungjillit i hiqet domethënia.
Kur me 28 tetor 1958 kardinali patrik i Venecies Anxhelo Ronkali u zgjodh papë, qenë të shumtë ata që e njihnin karakterin e përvuajtur, butësinë e bariut lindur në një familje fshatarësh afër Bergamos. E pikërisht humanizmi do të bëhej tipari kryesor i figurës së Gjonit të XXIII, “stili” i papnisë së tij, të cilin të gjithë, besimtarë e jo, do të mësonin të dashuronin.
Qysh kur ishte meshtar i ri Ronkali e kishte të qartë metodën e punës së tij: “Të takohesh me të gjithë” dhe mos ta lësh kurrë vetveten të mundesh nga vështirësitë.” Ishte ky një impenjim që do ta mbante edhe mbasi të zgjidhej në Katedrën e Shën Pjetrit, e që më pas do ta çonte në marrjen e vendimeve të guximshme dhe largpamëse, duke përgënjeshtruar kështu parashikimet sipas të cilave ai do të ishte një papë kalimtar për shkak të moshës së tij të thyer.
Po aq befasues qe veprimi i Papës Gjoni XXIII, kur më 26 dhjetor 1958, veç dy muaj pasi ishte zgjedhur papë, vendosi të shkonte për vizitë në burgun e Romës “Regina Coeli”. Pothuajse një aktualizim i asaj pjesë të ungjillit në të cilën ati i mëshirshëm takohet me djalin plangprishës.
Ja fjalët e Papës: “Kam ardhur këtu, më patë, unë vura sytë e mi në sytë e tuaj, vura zemrën time afër zemrës suaj. Ky takim, të jini të sigurt se do të mbetet thellë në zemrën time dhe ky vit i ri, do të thosha, i pari vit i papnisë sime, kam kënaqësinë që po hapet me një vepër dashurie. Në vazhdim të këtyre fjalëve po ju jap bekimin që prap, edhe njëherë, është simbol i asaj çka na ka dhënë I Lumi nëpërmjet sakramentit të dashurisë. Do të doja që të ishte inkurajues për të gjithë sa jeni!”
Një muaj më vonë, me 25 janar 1959, Gjoni XXIII kumtoi caktimin e Koncilit II Vatikanas, një ngjarje kjo me peshë historike, e cila sipas qëllimeve të Papës, donte të “përditësonte” Kishën për ta bërë më të aftë për t’ua kumtuar Ungjillin njerëzve të kohës sonë, duke hapur kështu një fazë të re të dialogut me botën.
Ja se si shprehej duke folur mbi shpresat që kishte vënë tek Koncili, Papa Ronkali me rastin e shpalljes së datës së hapjes së punimeve të Koncilit, caktuar për 11 tetor 1962: Shumë të dashur bij! Koncili II Vatikanas është përpara nesh, objekt i dëshirave dhe i ndjeteve mund të themi, i të gjithë botës. Ne besojmë e shpresojmë tek Zoti!







All the contents on this site are copyrighted ©.