2014-10-27 10:30:12

Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot: dashuria për Zotin e për të afërmin është masa e fesë


“Dashuria është masa e fesë, feja është shpirti i dashurisë”: me këto fjalë, Papa Françesku kujtoi në Engjëllin e Tënzot se dashuria për Zotin e për të afërmin janë faqe të së njëjtës medalje. “Do ta duash Zotin me gjithë zemër, me gjithë shpirt e me gjithë mendjen tënde”, i përgjigjet Jezusi, në Ungjillin e së dielës, një dijetari të Ligjit hebraik, i cili e pyet për urdhërimin më të madh të Zotit. E pastaj, shton menjëherë: “Duaje të afërmin porsi vetveten”. Jezusi, nënvizoi Ati i Shenjtë, nuk i shpik nga vetja këto dy urdhërime, i gjen nga Shkrimi i Shenjtë, nga Libri i Ligjit të Përtërirë dhe nga Levitiku. Por shton një risi:RealAudioMP3
“Risia e tij është bashkimi i këtyre dy urdhërimeve – dashuria për Zotin dhe dashuria për të afërmin – duke na zbuluar se ata janë të pandashëm e plotësues, janë dy faqe të së njëjtës medalje”.
Përmes dashurisë për të afërmin, çdo i krishterë mund të dëshmojë dashurinë për Zotin:
“Urdhërimi i dashurisë për Zotin e për të afërmin është i pari, jo sepse qëndron në krye të listës së urdhërimeve. Jezusi nuk e vendos në majë, por në qendër, sepse është zemra, nga e cila duhet të nisë gjithçka e ku gjithçka duhet të kthehet”.
Në dritën e fjalëve të Jezusit, vijoi Papa Françesku, dashuria është masa e fesë dhe feja është shpirti i dashurisë:
“Nuk mund ta ndajmë më jetën rregulltare, jetën e mëshirshme, nga shërbimi për vëllezërit, për ata vëllezër konkretë, që takojmë. Nuk mund ta ndajmë më lutjen, takimin me Zotin në Sakramente, nga dëgjimi i të tjerëve, nga afërsia me jetën e tyre, sidomos me plagët e tyre”.
Jezusi hap një udhë të re:
“Në mes të pyllit të rregullave e normave – të legalizmave të djeshëm e të sotëm – Jezusi hap një të çarë, që na lejon të shohim dy fytyra: fytyrën e Atit e atë të vëllait”.
Madje janë një fytyrë e vetme, shtoi Ati i Shenjtë:
“…ajo e Hyjit, që pasqyrohet në shumë fytyra, sepse në fytyrën e çdo të afërmi, sidomos në atë të më të voglit, më të brishtit e më të pambrojturit, është i pranishëm imazhi i vetë Zotit”.
Pas lutjes mariane, Papa Françesku përmendi të Lumen e re të Kishës Katolike, nënë Assunta Marchetti, bashkëthemeluese e Motrave misionare skalabriniane të Shën Karl Borromeut, e cila u lartua në nderimet e elterit, dje, në Brazil. Aty qe transferuar nga Toskana e Italisë në vitin 1895, kur ishte vetëm 24 vjeç, duke ndjekur të vëllain, meshtarin Giuseppe, model i “përkushtimit plot guxim në shërbim të dashurisë e bamirësisë”:
“Ishte një murgeshë shembullore në shërbimin ndaj jetimëve të emigrantëve italianë; ajo e shihte Jezusin e pranishëm në të varfërit, në jetimët, në të sëmurët, në emigrantët”.
Në fund të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku përshëndeti bashkësinë peruviane të Romës, e cila kishte ardhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në procesion me “Senor de los Milagros” (Zotin e Mrekullive), i cili adhurohet shumë në Limë.








All the contents on this site are copyrighted ©.