Në muajin e Rruzares, shfletojmë veprën “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”,
shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort, ndërsa po vjen fundit i muajit
të Rruzares. Pasi shpjegoi si nuk duhet nderuar Zoja, shenjti na shpjegon sot si është
nderimi i vërtetë për Nënën e Krishtit. 105. Pasi i tregova e edhe i dënova
devocionet e rreme ndaj Virgjërës së shenjtë, duhet treguar shkurtimisht edhe cili
është devocioni i vërtetë ndaj saj, që mund të jetë: 1. shpirtëror, 2. i butë, 3.
i shenjtë, 4. i paluhatshëm, 5. i pa interes.
106. Në radhë të parë,
devocioni i shenjtë ndaj Zojës së Bekuar është shpirtëror, pjesë e shpirtit dhe e
zemrës, vjen nga nderimi për Virgjërën e shenjtë, nga vlerësimi që për madhështitë
e saj e dashurinë që sjell.
107. Në radhë të dytë, është i butë, domethënë
përplot me besim në Virgjërën e shenjtë, ashtu si besimi i fëmijës në nënën e tij
të mirë. E bën shpirtin të vrapojë tek ajo për të gjitha nevojat trupore e shpirtërore,
me shumë thjeshtësi, besim, butësi; të kërkojë ndihmë nga nëna e tij e mirë në çdo
çast, në çdo vend e në çdo gjë: në dyshime, për t’u shndritur; në gabime, për t’u
qortuar; në tundime, për të gjetur mbështetje; në ligështi, për t’u përforcuar; në
rrëzime, për t’u ngritur përsëri në këmbë; në çkurajime, për të marrë zemër; në skrupuj,
për t’u çliruar; në kryqe, në mundime, në vështirësi të jetës, për t’u ngushëlluar.
Së fundi, në të gjitha të këqijat e sëmundjet trupore dhe shpirtërore, ngarend tek
Maria, pa frikë se po e shqetëson këtë Nënë të mirë, ose se po i shkakton pakënaqësi
Jezu Krishtit.