2014-10-23 15:45:48

Papa Françesku: të hiqet dënimi me vdekje, të zhduket trafikimi i qenieve njerëzore


Rasti ishte takimi i Papës Françesku në Vatikan me një grup juristësh të Shoqatës Penale Ndërkombëtare. Qëllimi: të luftohet për të hequr dënimin me vdekje, por edhe për të përmirësuar kushtet çnjerëzore në disa burgje, duke respektuar dinjitetin e çdo njeriu. Ati i Shenjtë e ngriti zërin pikërisht për këto tema para juristëve, të cilëve u kërkoi edhe të angazhohen në luftën kundër trafikut të njerëzve dhe korrupsionit.
Dënimi me burgim të përjetshëm, nënvizoi Papa, është “dënim me vdekje i kamufluar”, prandaj e kam hequr nga Kodi Penal i Vatikanit. Për të mos folur pastaj për dënimin me vdekje të mirëfilltë, të cilin, kujtoi Ati i Shenjtë, e pati kritikuar jashtëzakonisht shën Gjon Pali II:
“Të gjithë të krishterët dhe njerëzit vullnetmirë janë të thirrur sot, jo vetëm të luftojnë për zhdukjen e dënimit me vdekje, ligjor apo jo e, në të gjitha format që paraqitet, por edhe të angazhohen për të përmirësuar kushtet në burgje, në respekt të dinjitetit të njerëzve, që privohen nga liria. E këtë unë e lidh edhe me burgimin e përjetshëm. Ky lloj burgimi është dënim me vdekje i kamufluar”.
Vitet e fundit, denoncoi Papa Françesku, është përhapur ideja se përmes dënimit publik mund të zgjidhen probleme shoqërore nga më të ndryshmet. Njëlloj sikur, për sëmundje të ndryshme të na jepnin gjithnjë të njëjtin ilaç. Kjo, e ngriti zërin Ati i Shenjtë, ka bërë që sistemi penal t’i kapërcejë kufijtë e vet sanksionues, për t’u shtrirë në terrenin e lirive dhe të drejtave të njerëzve, gjithsesi, pa arritur ndonjë sukses të veçantë:
“Ka rrezik të mos ruhet as përpjestimi i dënimeve, që historikisht pasqyron shkallën e vlerave të mbrojtura nga shtetit. Është dobësuar koncepti i së drejtës penale si ‘ultima ratio’, si mundësi e fundit për sanksionim, e kufizuar vetëm për faktet më të rënda kundër interesave individuale e kolektive më të denja për t’u mbrojtur. Është dobësuar edhe debati për zëvendësimin e burgosjes me dënime penale të tjera”.
Me guximin që e karakterizon, Papa Françesku e quajti burgimin parandalues “formë bashkohore dënimi të paligjshëm”, që fshihet pas “farfurisjes së ligjshmërisë”. Kështu, nënvizoi, ka rrezik të rritet numri i të burgosurve pa gjyq, pra, i njerëzve që dënohen paraprakisht, pa respektuar rregullat e procesit. Në disa vende, këta janë 50% e numrit të përgjithshëm të të burgosurve. Si pasojë, denoncoi më tej Papa, keqësohen kushtet e jetesës në burgje:
“Kushtet e mjerueshme të burgosjes, që shihen në anë të ndryshme të planetit, përbëjnë shpesh një aspekt vërtet çnjerëzor e poshtërues, shpesh, shkaktuar nga mungesat e sistemit penal, e herë të tjera, nga mungesa e infrastrukturave dhe e planifikimit, ndërsa në jo pak raste, nuk janë tjetër, veçse rezultati i ushtrimit arbitrar e të pamëshirshëm të pushtetit mbi njerëzit e privuar nga liria”.
Papa Françesku e krahasoi me torturën mbajtjen në burgjet e sigurisë së lartë. Izolimi në këto vende shkakton vuajtje psikike e fizike, që rrisin prirjen për vetëvrasje. Denoncoi arritjen e pranimit të fajit përmes torturave, të cilat vazhdojnë edhe pas dënimit, pikërisht për t’u shkaktuar më tepër vuajtje të burgosurve, qofshin këta fëmijë, të sëmurë, të moshuar, gra shtatzënë apo njerëz me të meta fizike.

E më pas, Ati i Shenjtë Bergoglio trajtoi problemin e trafikut të njerëzve, që shfrytëzon varfërinë absolute të një miliard personave në botë e të 45 milionëve në ikje nga lufta:
“Nga momenti, që nuk është e mundur të arrihet në këtë krim kaq të ndërlikuar si trafiku i njerëzve, pa bashkëfajësinë e shteteve, është e qartë se, kur përpjekjet për ta parandaluar dhe luftuar këtë fenomen nuk janë të mjaftueshme, jemi sërish para një krimi kundër njerëzimit. E më tej, nëse ndodh që ata, të cilët e kanë për detyrë t’i mbrojnë njerëzit e të garantojnë lirinë e tyre, bëhen bashkëfajtorë të atyre, që praktikojnë tregtinë e njerëzve, atëherë, në këto raste, shtetet janë përgjegjës para qytetarëve të vet dhe para bashkësisë ndërkombëtare”.
Kapitulli i korrupsionit qe mjaft i gjerë dhe u analizua pa doreza nga Papa Françesku. I korruptuari, sipas Atit të Shenjtë, është njeri, që i duket vetja më i zgjuar se të tjerët e madje, mund t’i persekutojë ata, që e kundërshtojnë. Korrupsioni është një e keqe më e madhe se mëkati, pohoi Papa Françesku. Nuk mund të falet aq lehtë, pasi duhet mjekuar më parë:
“Sanksioni penal [në këtë rast] është përzgjedhës. Është si një rrjetë, me të cilën kapen vetëm peshqit e vegjël, ndërsa lihen të mëdhenjtë të lirë në det. Format e korrupsionit, që duhen dënuar më ashpër, janë ato, të cilat shkaktojnë dëme të rënda shoqërore, si në fushën ekonomike e shoqërore – si, për shembull, mashtrimi i administratës publike, ose ushtrimi i paligjshëm i detyrës – ashtu edhe duke vendosur çdo lloj pengese në ingranazhet e drejtësisë, me qëllim sigurimin e mosndëshkimit për vete, ose për të tjerët”.
Së fundi, Papa Françesku i këshilloi penalistët të tregojnë kujdes kur japin vendimet:
“Respekti i dinjitetit njerëzor, jo vetëm duhet të shërbejë si kufi për arbitraritetin dhe për teprimet e punonjësve të shtetit, por edhe si kriter orientimi për përndjekjen dhe dënimin e atyre sjelljeve, që përfaqësojnë sulmet më të rënda kundër dinjitetit dhe integritetit të njeriut”.







All the contents on this site are copyrighted ©.