2014-10-22 17:06:21

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 30-të gjatë vitit kishtar ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalën Hyjnore të dielës së 30-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.
Tema kryesore e leximeve biblike të kësaj së diele është besimi – dashuria. Të besosh e të duash, të besosh në Zotin është si të duash, ta duam njeriun për ta dashur Zotin. Risia e madhe e krishterimit është që na ka dëftuar se “Zoti është dashur”.
Lëvizja e dashurisë së Zotit është thelbësisht zbritëse: prej Zotit drejt botës. Ky dëftim i dashurisë së Zotit përhapet mes njerëzve, për të nxitur në mesin e tyre dashurinë vëllazërore ndaj njëri-tjetrit (qytetërimin e dashurisë). Të duash Zotin ishte e mbetët objekt i urdhrit të parë (lëvizja ngritëse), si themel, ndërsa dashuria ndaj të afërmit është verifikim i dashurisë që kemi për Zotin: nuk mund të duash Zotit që nuk e sheh e të mos e duash të afërmin tënd që e sheh dhe takon.
Përmes debatit me farisenjtë, në Ungjill të kësaj së diele, Jezusi tregon kriterin e vërtetë të shqyrtimit e vlerësimit të përvojës së fesë. Kundër copëzimi (ndarjeje) të ligjit apo kundër çdo formalizmi, Jezusi propozon urdhrin më të madh, atë të dashurisë ndaj Zotit, dashuri që vërtetohet e peshohet nga dashuria që kemi ndaj të afërmit tonë.
Izraeli, i thirrur në Sinaj të kremtojë besëlidhjen me Hyjin, është impenjuar t’i zbatojë në jetën e përditshme udhëzimet e Dekalogut ( Dhjetë Urdhërimeve) e të Kodit të besëlidhjes si përgjigje ndaj Zotit që e ka liruar e zgjedhur ndërmjet të gjithë popujve të tokës. Pjesa e leximit të parë të kësaj së diele (Dal 20, 22.23,33), koleksionon një sërë urdhërimesh etike e sociale që sillen rreth klasave më të varfra ( të huajve, jetimëve e vejushave).
Çdo bashkësi e krishterë, për leximin e dytë të kësaj së diele (1 Sel 1,5-10), është e thirrur të jetë shembull jete dhe dëshmi për të tjerët, duke imituar Zotërinë Jezus dhe bujarinë e apostujve.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë (Dal 22, 21-27)
Nëse e dëmtoni vejushën e bonjakun, hidhërimi im do t ë ndizet flakë kundër jush.
Lexim prej Librit të Daljes
Kështu thotë Zoti: “Mos e keqtrajtoni vejushën as bonjakun. Nëse do t’i nëpërkëmbni, ata do të kërkojnë ndihmë prej meje e unë do ta dëgjoj ankimin e tyre. Atëherë hidhërimi im do të ndizet flakë e do t’ju prej me shpatë. Gratë do t’ju mbesin të veja e fëmijët bonjakë.
Nëse do t’i huazosh para ndokujt prej skamnorëve të popullit tim që është me ty, mos u sill me të si të ishe kamatari: mos i merrni kamatë.
Nëse për peng ia ke marrë të afërmit tënd gunën, ktheja para perëndimit të diellit. Sepse ajo është i vetmi petk me të cilin e mbështill trupin dhe s’ka tjetër në të cilin të bjerë të flejë. Nëse ankohet para meje, do ta dëgjoj, sepse kam dhembshuri.
Fjala e Zotit!

Psalmi 18 (17)
Ref: Të dua, o Zot, fuqia ime.
_____________________________
O Zot, Qeta ime, fuqia ime, Shpëtimtari im!
Ti je Mbrojtësi im, fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!
_____________________________
Në ndihmë do ta thërras Zotin tejet të lavdishëm,
dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.
_____________________________
Është Zoti! Qoftë bekuar Qeta e strehimit tim!
Qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!
_____________________________

Leximi i dytë (1 Sel 1, 5-10)
Ju u kthyet kah Hyji prej idhujsh, që t’i shërbeni Hyjit të gjallë e të vërtetë.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Selanikasve
Vëllezër, Ungjilli ynë nuk erdhi ndër ju vetëm me anë të fjalës, por edhe i përcjellë me fuqi dhe me Shpirt Shenjt dhe me mbushëmendje të plotë. Të tillë, pra, siç e dini, kemi qenë ndër ju për ju. Edhe ju u bëtë ndjekësit tanë dhe të Zotit duke e pranuar Fjalën me gëzim që jep Shpirti Shenjt edhe pse në vështirësi të madhe, kështu që u bëtë shembull për të gjithë besimtarët e Maqedonisë dhe të Akajës.
Sepse, prej jush, jo vetëm jehoi Fjala e Zotit nëpër Maqedoni e Akajë, por edhe feja juaj në Hyjin aq fort u përhap gjithkah, sa që ne s’kemi nevojë të flasim për këtë gjë. Sepse njerëzit vetë tregojnë për ne: ç’ pritje na bëtë, si u kthyet kah Hyj prej idhujsh, që t’i shërbeni Hyjit të gjallë e të vërtetë dhe që ta prisni nga qielli Birin e tij, të cilin e ngjalli nga të vdekurit, Jezusin, që na shpëton nga hidhërimi i ardhshëm.
Fjala e Zotit!

Ungjilli (Mt 22, 34-40)
Duaje Zotin, Hyjin tënd dhe të afërmin tënd porsi vetveten!
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, farisenjtë, kur morën vesh se ua mbylli gojën saducenjve, u bashkuan dhe njëri sish, mësues ligji, për ta vënë në provë, e pyeti: “Mësues, cili është më i madhi urdhërim i Ligjit?”
Jezusi u përgjigj: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim. I dyti është i barabartë me të: Duaje të afërmin tënd porsi vetveten! Në këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.”
Fjala e Zotit!
Më tepër mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 30-të gjatë vitit kishtar, mund të dëgjoni këtu programin tonë.....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.