2014-10-22 16:48:38

Festa e Shën Gjon Palit II. Imzot Oder: figura e tij rrethohet me dashuri


Sot, pra, siç e kujtoi edhe Papa Françesku, Kisha Katolike kremton festën liturgjike të Shën Gjon Palit II, për 27 vjet në fronin e Shën Pjetrit. I lartuar në nderimet e elterit nga Papa Françesku, më 27 prillin e kaluar, së bashku me shën Gjonin XXIII, Karol Vojtila është ndër figurat më të dashura të historisë së vonë të Kishës. Dashuri, që s’njeh kufi edhe nëntë vjet pas vdekjes, siç nënvizon postulatori i çështjes së shenjtërimit të tij, imzot Slavomir Oder, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3
Nuk ju fsheh se për mua, kur shoh faqen e kalendarit me datën 22 tetor, është sigurisht çast mallëngjimi të thellë. E të bën jashtëzakonisht përshtypje që, edhe sot, pas nëntë vjetësh nga vdekja e tij, emri i Gjon Palit II zgjon në zemrat e besimtarëve ndjenja mirënjohjeje, gëzimi e dashurie. Gjatë këtyre muajve, kam pasur rast të marr pjesë në shumë nisma për kujtimin e shën Gjon Palit II e duhet të them se mallëngjehem kur shoh kishat plot, pjesëmarrjen e njerëzve, që me lot për faqe, tregojnë përvojën e tyre, përshkruajnë Gjon Palin e tyre II.
Përtej analizave të teologëve, më shumë se shkrimet e vatikanistëve, ka një popull të Zotit që vazhdon ta dojë me gjithë shpirt këtë figurë…
Vërtet, është një fenomen, të cilin e kam vënë re që gjatë viteve të procesit, kur mblidhja dëshmi. Fenomen, që shprehej përmes fjalëve, të cilat i përsërisnin të gjithë si të ishin refren: “Papa ynë! Papa ynë!”. E thonin në polonisht, e thonin në italisht e, vazhdojnë ta thonë në të gjitha gjuhët e botës. Mbeti Papa i ditëve tona, sepse kujtimi i tij është gjithnjë i freskët, gjithnjë i gjallë: buzëqeshja, fjalët e tij, qëndrimi i tij atëror, i rreptë, por edhe mirëdashës, i sigurtë në fjalë, në doktrinë e në afërsinë me njerëzit, që kishin nevojë për dashuri e mëshirë.
Më 22 tetor, në festën e shenjtit, nuk mund të harrohen fjalët e tij të famshme: “Mos kini frikë”. Në një farë mënyre, kjo thirrje projektohet drejt së ardhmes, megjithëse t’u thuash njerëzve të mos kenë frikë për ta kumtuar Krishtin është diçka jo aq e lehtë për kohët e sotme…
Ky është funksioni profetik i Kishës e ky është edhe guximi i jashtëzakonshëm që tregoi Gjon Pali II gjatë gjithë papnisë së tij. Kundërshtarët ia ndjenë mirë forcën, por edhe populli i Zotit: ai vendosi Krishtin në qendër të Magjisterit të vet, të fjalëve të tij, të mesazhit që i la Kishës. Prandaj, fjalët “mos kini frikë” vërtet, sot frymëzojnë shumë e shumë njerëz që të marrin udhë e vendime kundër rrymës, vendime profetike.
Pas shpalljes së Gjon Palit II shenjt nga Kisha, a ka ndonjë ngjarje a episod, që ju ka mbetur në mendje?
Kohët e fundit, kam qenë në Pulja, ku mora pjesë në një ngjarje shumë të bukur, në kuadrin e shtegtimit të relikes së shën Gjon Palit II, e cila vazhdon udhën e saj nëpër botë. Më bëri përshtypje që kisha ishte mbushur plot e përplot me njerëz. Pas meshës, shumë vetë qëndruan në kishë gjatë gjithë natës, u lutën deri në mëngjes, deri në meshën e mëngjesit, duke ia besuar Gjon Palit II ndjetet e tyre, shqetësimet, shpresat e gëzimet e tyre. Mendoj se kjo është vërtet detyra e shenjtorëve e ai po e kryen në mënyrë të shkëlqyer: duke ndërhyrë, por edhe duke i inkurajuar njerëzit për jetën, në masën më të lartë. Fjalët që pati thënë gati në fund të papnisë, duke e futur Kishën në mijëvjeçarin e tretë – “Duc in altum!”, dilni në det të hapur – vërtet, kanë mbetur në zemrat e njerëzve. Shenjtëria inkurajon, shenjtëria është ngjitëse, shenjtëria tërheq e me gjithë mend mund të ndikojë mbi vendimet konkrete të jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.