Selia e Shenjtë: fundamentalizmi, pasojë e globalizimit përjashtues
Sot, para diskriminimeve në rritje e para dhunës në të gjithë botën, është e nevojshme
më shumë se kurrë të bashkojmë forcat për të promovuar kulturën e përfshirjes së njerëzve
në një shoqëri të drejtë e paqësore. Kështu shkruhet në Mesazhin tradicional të Këshillit
Papnor për Dialogun Ndërfetar, me rastin e Deepavali-t, festës hinduiste, që simbolizon
fitoren e dritës mbi errësirën, triumfin e së mirës mbi të keqen. Këtë vit, festa
bie më 23 tetor. “Është e vërtetë – shkruhet në Mesazhin e Këshillit Papnor –
se globalizimi ka hapur horizonte dhe mundësi të reja” në frontin shoqëror dhe politik,
por “mund të thuhet edhe se globalizimi nuk e ka arritur objektivin e tij të parë,
atë të integrimit të popullsive lokale në bashkësinë globale. Përkundrazi, globalizimi
ka kontribuar mjaft në humbjen e identitetit shoqëroro-kulturor, ekonomik e politik,
për shumë popuj”. “Globalizimi – vazhdon dikasteri vatikanas – ka kontribuar në
fragmentimin e shoqërisë dhe në rritjen e relativizmit e të sinkretizmit në fushën
e fesë, duke shkaktuar edhe një lloj privatizimi të fesë. Fundamentalizmi fetar dhe
dhuna etnike, tribale e sektare, në shumë anë të botës, sot, janë shfaqje të pakënaqësisë,
të paqartësisë e të pasigurisë së popujve, në veçanti, të të varfërve e të të mënjanuarve,
të cilët janë përjashtuar nga përfitimet e globalizimit”. “Përveç kësaj, pasojat
negative të globalizimit, si materializmi dhe konsumizmi i përhapur, i kanë bërë njerëzit
më egoistë, të etur për pushtet dhe indiferentë ndaj të drejtave, nevojave e vuajtjeve
të të tjerëve”. Kjo, siç ka vënë në dukje edhe Papa Françesku, ka sjellë “globalizimin
e indiferencës, e cila, dalëngadalë, na bën të mësohemi me vuajtjen e tjetrit dhe
na mbyll në vetvete” (Mesazhi për Ditën Botërore të Paqes, 2014). “Kjo indiferencë
– nënvizohet më tej në Mesazhin për festën hinduiste të dritës – i hap vend ‘kulturës
së përjashtimit’ (shih Papa Françesku, Fjala për Lëvizjen Apostolike të të Verbërve
dhe Misionin e Vogël për Shurdhmemecët, 29 mars 2014) për të cilën të varfërve, të
mënjanuarve dhe të brishtëve u mohohen të drejtat, si edhe mundësitë e burimet, që
kanë në dispozicion anëtarët e tjerë të shoqërisë. Ata trajtohen si të parëndësishëm,
të panevojshëm, të padobishëm, për t’u përdorur, ose edhe për t’u hedhur, sikur të
ishin objekte. Në mënyra të ndryshme, shfrytëzimi i fëmijëve dhe i grave, braktisja
e të moshuarve, e të sëmurëve, e njerëzve me të meta fizike, e emigrantëve dhe e refugjatëve,
si edhe persekutimi i pakicave, janë tregues të sigurtë të kësaj kulture të përjashtimit”. “Kultivimi
i kulturës së përfshirjes bëhet kështu thirrje e përgjegjësi e përbashkët, së cilës
i duhet dhënë përgjigje me urgjencë. Kemi të bëjmë me një projekt, ku përfshihen të
gjithë ata, që e kanë për zemër shëndetin dhe mbijetesën e familjes njerëzore këtu,
mbi Tokë. Është plan që duhet realizuar pavarësisht nga forcat nxitëse të kulturës
së përjashtimit”. Mesazhi përfundon me thirrjen që hinduistët dhe të krishterët
të bashkohen me ndjekësit e feve të tjera dhe me njerëzit vullnetmirë për të promovuar
kulturën e përfshirjes në një shoqëri të drejtë e paqësore.