2014-10-21 13:08:58

Papa: jemi popull i bashkuar në Jezusin, jo ishuj të izoluar


“I krishteri është burrë apo grua, që di të presë Jezusin e shi për këtë, është burrë e grua e shpresës”. Kështu tha Papa Françesku në homelinë e meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Me flijimin e Tij, Krishti na bëri “miq, të afërt, në paqe”.
Papa reflektoi duke marrë shkas nga Ungjilli sipas Lukës dhe nga Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Efesianëve. Në Ungjill, Krishti u flet dishepujve duke u krahasuar me zotërinë, që kthehet në shtëpi natën vonë nga një dasmë. I quan “të lum” shërbëtorët, të cilët e presin zgjuar e me dritën ndezur. Skena, që vjen menjëherë pas, tregon për Jezusin, që bëhet shërbëtor i shërbëtorëve të vet, duke u çuar atyre drekën në tryezë. Vërejti Papa Françesku: shërbimi i parë që Mësuesi u bën të krishterëve është t’u japë “identitetin”. “Pa Krishtin – theksoi – ne nuk kemi identitet”. E këtë pikë, Papa e lidhi me fjalët e Shën Palit për paganët – “kujtohuni se në atë kohë ishit pa Krishtin, të përjashtuar nga qytetaria e Izraelit” – e pastaj pohoi: “Jezusi nuk erdhi të na japë qytetarinë, përkatësinë në një popull, me emër e mbiemër”. Në të vërtetë, “nga armiq pa paqe”, Krishti na bashkoi me anë të gjakut të Tij, duke shembur kështu, murin që na ndante:
“Të gjithë ne e dimë se kur nuk jemi në paqe me njerëzit, jemi para murit. Ka një mur, që na ndan. Por Jezusi na e bën këtë shërbim, na e shemb murin, që të mund të takohemi. Nëse jemi të ndarë, nuk jemi miq: jemi armiq. E bën më shumë, për të na pajtuar të gjithëve, në Zotin. Na pajtoi edhe me Zotin: nga armiq, në miq; nga të huaj, në bij”.
Nga njerëz të rrugës, nga persona që nuk ishin as “të ftuar”, në “bashkëqytetarë të shenjtorëve e në familjarë të Zotit”, siç thotë Shën Pali. Këtë krijoi Jezusi me ardhjen e Tij. Por, theksoi Papa, duhet ta presim, ashtu siç presin shërbëtorët zotërinë e tyre:
“Të presësh Jezusin. Kush nuk e pret Jezusin, ia mbyll derën, nuk e lë të hyjë këtë vepër paqeje, bashkimi, qytetarie e më tepër akoma: vepër, që na jep emrin. Na bën bij të Zotit. Kjo do të thotë të presësh Jezusin, kjo është shpresa e krishterë. I krishteri është burrë apo grua e shpresës. E di se Zoti do të vijë. Vërtet do të vijë eh? Nuk e dimë orën, por do të vijë, do të vijë të na takojë, por të mos na gjejë të izoluar, armiq…jo. Të na gjejë, ashtu siç na ka bërë Ai vetë përmes shërbimit të Tij: miq të afërt, në paqe”.
Ka edhe një pyetje tjetër, që mund të bëjë çdo i krishterë, nënvizoi Papa Françesku: Si ta pres Jezusin? E akoma më parë se kjo: “ta pres a mos ta pres?”:
“A besoj unë me shpresë se Ai do të vijë? A e kam zemrën e hapur për ta dëgjuar kur troket në derë, kur e hap derën? I krishteri është burrë apo grua, që di të presë Jezusin, prandaj, është burrë apo grua e shpresës. Ndërsa pagani – e shpesh ne të krishterët sillemi si paganë – e harron Jezusin, mendon për vetvete, për gjërat e veta, nuk e pret Jezusin. Egoisti pagan bën sikur të ishte Zoti: ‘Unë rregullohem vetë’. Por përfundon keq, pa emër, pa afërsi, pa qytetari”.








All the contents on this site are copyrighted ©.