2014-10-20 15:09:39

Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë: “Të vërtetat themelore të devocionit të Marisë” par. 96


Në muajin e Rruzares, vijojmë shfletimin e veprës “Traktat i devocionit të vërtetë për Marinë”, shkruar nga Shën Luigji Maria Grignion de Monfort. Vijojmë t’ju flasim për të devotshmit sa për sy e faqeRealAudioMP3

Të devotshmit për sy e faqe janë mëkatarë të braktisur në pasionet e tyre, ose dashuronjës të botës, që nën emrin e bukur të të krishterit e të të devotshmit të Virgjërës shenjte, fshehin mendjemadhësinë, a koprracinë, a ndyrësinë, a dehjen, a zemërimin, a blasfeminë, a përgojimin, a padrejtësinë etj etj. Flejnë në paqe mbi shtrojen e zakoneve të tyre të këqija, pa e marrë mundimin të qortohen, me pretendimin se janë të devotshëm të Marisë; mendojnë se kështu Zoti do t’i falë, se nuk do të vdesin pa u rrëfyer e se nuk do të dënohen, sepse thonë Rruzaren e tyre, agjërojnë të shtunën, janë anëtarë të bashkëvëllazërive ose të kongregacioneve, mbartin skapolarin ose varin në qafë fytyrën e Zojës etj etj…
Kur i thua se devocioni i tyre është mashtrim i djallit e kllapi, që mund t’i bëjë të bjerrin shpirtin, nuk duan të besojnë; thonë se Hyji është i mirë e i mëshirshëm; se nuk i krijoi për t’i dënuar; se nuk ka njeri që s’mëkaton; se nuk do të vdesin pa rrëfim; se një pendim i mirë në prag të vdekjes është i mjaftueshëm e se, veç kësaj, janë të devotshëm të Virgjërës Mari; mbajnë Skapolarin, thonë për ditë besnikërisht e pa mburrje shtatë Atyna e shtatë Falemëri, për nder të saj; se nganjëherë thonë edhe Rruzaren e oficen e Virgjërës së shenjtë; se agjërojnë etj etj. Për ta vërtetuar këtë që thonë e për t’u verbuar edhe më shumë, shtojnë ca fakte, që i kanë dëgjuar ose i kanë lexuar në ndonjë libër, të vërteta apo të rreme, kjo s’ka pikë rëndësie, të cilat vërtetojnë se njerëzit e vdekur në mëkat mortar, pa rrëfim, duke pasë thënë gjatë jetës ndonjë uratë ose duke pasë bërë ndonjë praktikë devocioni ndaj Zojës së Bekuar, u ringjallën, për t’u rrëfyer e shpirti i tyre mbeti mrekullisht në trup, derisa e kryen rrëfimin ose, për mëshirë të Zojës së Bekuar, pasi vdiqën, patën nga Zoti hirin e pendimit e të ndjesës së mëkateve e, prej këndej, u shëlbuan, e edhe ata vetë shpresojnë të shpëtojnë.








All the contents on this site are copyrighted ©.