Papa Françesku në fund të Sinodit: Kisha i mban dyert e hapura, pa u tunduar nga zelltarët
e tepruar
Kisha e Krishtit është në shërbim të çdo njeriu, nuk ka frikë dhe i mban dyert e hapura.
Kështu mund të përmblidhet fjala e Papës Françesku në fund të punimeve të Asamblesë
III të Përgjithshme të Jashtëzakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve për Familjen. Ati
i Shenjtë foli për çaste tensioni e tundimesh gjatë punimeve sinodale, por nënvizoi
hirin dhe bukurinë e konfrontimit. Nënvizoi se detyra e Pasardhësit të Shën Pjetrit
është të garantojë unitetin në Kishë, ndërsa ajo e ipeshkvijve të “ushqejnë grigjën”
e të gjejnë delen e humbur. Papa vuri në dukje se etërit sinodalë ecën së bashku,
me entuziazëm, me përkushtim, në hirin e Tënzot, duke dëgjuar edhe dëshmitë e familjeve,
por nganjherë pati edhe tensione e qëndrime të ngurta: “…pra, deshën
të mbylleshin në shkrime (letra) e të mos e linin veten t’i befasonte Zoti, Hyji i
të papriturave (Shpirti Shenjt); të rrinin brenda ligjit, brenda sigurisë së njohurive
që kemi, pa pranuar se akoma duhet të mësojmë e të shtojmë të tjera. Që nga koha e
Jezusit, ky është tundimi i zelltarëve, i skrupolozëve, i të kujdesshmëve në tepri,
i të ashtuquajturve ‘tradicionalistë’ dhe i intelektualistëve”. E ka edhe
më. Papa foli për ata, që mendojnë se po bëjnë mirë, që kanë frikë të bëjnë hapa përpara,
ose që paraqiten si progresistë e liberalistë: “…të cilët, në emër të një mëshire
mashtruese, i fashojnë plagët para se t’i kurojnë e mjekojnë; pra, trajtojnë simptomat
dhe jo shkaqet e rrënjët”. Papa përmendi më pas “tundimin për ta shndërruar
gurin në bukë”, që t’i jepet fund agjërimit të gjatë, por edhe tundimin “për ta shndërruar
bukën në gur” e për t’ua hedhur mbi krye mëkatarëve, duke u vënë mbi shpinë peshë
të padurueshme. E pastaj, tundimi për të zbritur prej Kryqit: “…që të kënaqen
njerëzit, e jo të qëndrojmë mbi Të për të plotësuar vullnetin e Atit; të përkulemi
para shpirtit të botës, në vend që ta spastrojmë e t’ia nënshtrojmë Shpirtit të Zotit”.
Së fundi, tundimi për ta lënë mënjanë ‘depositum fidei’, pra atë trashëgimi
të fesë, që duhet ruajtur pa u sjellë me të sikur të ishim pronarë; por edhe tundimi
për të mos marrë parasysh realitetin. Shumë komentues, nënvizoi Papa Françesku, deshën
të shohin me çdo kusht një Kishë që grindet. Sinodi nuk vuri në diskutim të vërtetat
themelore të Sakramentit të Martesës si pazgjidhshmërinë, bashkimin, besnikërinë e
aftësinë për të lindur jetën, por Kisha nuk ka frikë të përveshë mëngët për të mjekuar
plagët e njerëzve, pa i gjykuar e klasifikuar ata: “Kjo është Kisha, Një e
vetme, Shenjte, Katolike, Apostolike, e përbërë nga mëkatarë, nevojtarë të mëshirës
së Saj. Kjo është Kisha, nusja e vërtetë e Krishtit, që përpiqet t’i qëndrojë besnike
Dhëndërrit e doktrinës. Është Kisha, që nuk ka frikë të hajë e të pijë me prostitutat
dhe me publikanët (shih Lk 15). Kisha, që ka portat e hapura dy kanatësh për të pritur
nevojtarët, të penduarit e jo vetëm të drejtët, apo ata, që mendojnë se janë të përsosur!” Një
Kishë, vijoi Ati i Shenjtë, së cilës nuk i vjen turp nga vëllai, që ka humbur udhën,
e nuk bën gjoja se nuk e sheh, por e inkurajon dhe i jep dorën për ta vazhduar rrugën
së bashku. Papa Françesku vuri në pah edhe detyrat e veta: garantimi i unitetit në
Kishë dhe kujdesi për barinjtë e saj. Por, u tha edhe ipeshkvijve të ushqejnë grigjën,
që u ka besuar Zoti, e të presin krahëhapur, me mëshirë e pa frikë, delet e humbura.
E në këtë detyrë, si Papa, ashtu edhe ipeshkvijtë janë shërbëtorë: “Papa, në
këtë kontekst, nuk është zoti suprem, por shërbëtori suprem – servus servorum Dei
– garanti i bindjes, i përputhjes së Kishës me vullnetin e Zotit, me Ungjillin e Krishtit
e me Traditën e Kishës, duke lënë mënjanë çdo arbitrazh personal, pavarësisht se është
– për vullnet të vetë Krishtit – Bariu dhe Dijetari suprem i të gjithë besimtarëve
(Kn. 749) e pavarësisht se gëzon pushtet të zakonshëm, që është suprem, i plotë, i
menjëhershëm dhe universal në Kishë”.