2014-10-17 16:18:36

Papa Françesku Presidentit Nishani: populli shqiptar pasuri për Evropën


Papa Françesku falenderon Presidentin e Shqipërisë Nishani për mikpritjen e 21 shtatorit. U bë e njohur dje letra e Papës Françesku drejtuar Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, me të cilën Ati i Shenjtë falenderon shqiptarët për mikpritjen, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Tiranë, më 21 shtator. Ja teksti i plotë:
“Shkëlqesisë së Tij, Bujar Nishani
President i Republikës së Shqipërisë
Pas Udhëtimit tim të paharrueshëm Apostolik në Shqipëri, dëshiroj t’ju shpreh edhe një herë juve, zoti President, autoriteteve të tjera, si dhe gjithë popullit shqiptar, mirënjohjen time të përzemërt për mikpritjen e ngrohtë e të hijshme me të cilën më pritët mua dhe shoqëruesit e mi.
Jam i kënaqur që munda të tregoj, me praninë time, afërsinë personale dhe atë të gjithë Kishës për popullin e Shqipërisë, i cili në sajë të forcës e të qëndrueshmërisë në kohë vuajtjesh e në sajë të gjallërisë së tij rinore, përfaqëson një pasuri për kontinentin evropian.
Shpresoj e lutem zoti President, që ju dhe qytetarët tuaj të jetoni në drejtësi, paqe dhe vëllazërim e të vazhdoni të jepni dëshminë tuaj mbresëlënëse për marrdhëniet plot respekt ndërmjet anëtarëve të bashkësive të ndryshme fetare. Unë do të vijoj të lutem për ju dhe për aspiratat tuaja për përparimin e vërtetë e ju kërkoj lutjet tuaja për mua.
Vëllazërisht
Françesku
Nga Vatikani, 27 shtator 2014”







All the contents on this site are copyrighted ©.