2014-10-17 16:19:04

Papa, të rinjve të Fuci-t: kultura e sotme ka uri për mesazhin e Ungjillit


“Studim, kërkim, kufij”: këto janë tre fjalët që Papa Françesku i vë në duart e Federatës Universitare Katolike Italiane (Fuci), me rastin e Kongresit të Jashtëzakonshëm, organizuar në Arezzo të Italisë për lumnimin e Papës Pali VI, të dielën, më 19 tetor. Papa Montini ka qenë asistent kryesor i Federatës nga viti 1925 deri në vitin 1933 e të rinjtë universitarë duan të kujtojnë pikërisht kontributin e rëndësishëm që dha për kulturën bashkohore.
Duke komentuar tri fjalët e mesazhit të tij, Papa Françesku ndalet fillimisht tek e para: studimi. “Thelbi i jetës universitare – shkruan ai – është studimi, përmes lodhjes e durimit që kërkon të menduarit, i cili zbulon prirjen e njeriut drejt së vërtetës, së mirës, së bukurës”. Mos u kënaqni me të vërtetat e pjesshme, i këshillon Papa universitarët, e as me iluzionet që krijojnë siguri të rreme, por mundohuni ta kuptoni realitetin, në tërësinë e tij. Studimi, vazhdon Papa, nuk është përvetësimi i realitetit me synim manipulimin e tij. Lejojeni realitetin t’ju flasë, sepse shpesh ju mundëson të njihni edhe vetveten e të shihni gjithçka me sy të rinj.
Fjala e dytë është “kërkim”. Kjo duhet të jetë metoda e studimit tuaj, u shkruan Papa universitarëve: kërkimi, dialogu e konfrontimi. Puna kërkimore ngre vazhdimisht pikëpyetje e kështu, mund të bëhet takim me misterin dhe ia hap zemrën fesë, e bën atë të ecë krah arsyes. Mundohuni të dialogoni me të gjithë, këshillon Ati i Shenjtë, me jo besimtarët e me besimtarët e feve të tjera, duke pasur parasysh se kultura e sotme ka uri për Ungjillin.
Fjala e tretë është “kufiri”. Universiteti, shkruan Papa në mesazh, është kufi që ju pret, është periferi ku të takoheni e të mjekoni varfërinë ekzistenciale të njeriut. Ndajeni punën tuaj me të tjerët, çojeni Ungjillin në universitet e kulturën universitare në Kishë, këshillon së fundi Ati i Shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.