Papa Françesku: lutja e lavdit është e vështirë, por dhuron gëzimin
Është e lehtë të lutesh për të kërkuar hire, ndërsa është më e vështirë lutja e lavdit,
megjithëse ajo ngjall gëzim të jashtëzakonshëm: kështu tha sot Papa Françesku në meshën
e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Në qendër të homelisë, Letra drejtuar Efesianëve,
në të cilën Shën Pali Apostull i thur me gëzim lavde Zotit: “Ne dimë të lutemi
shumë mirë kur kërkojmë, ose kur e falenderojmë Zotin, por lutja e lavdit është pak
më e vështirë për ne: nuk e kemi zakon të lëvdojmë Hyjin. E këtë mund ta ndjejmë më
mirë kur kujtohemi për gjërat që ka bërë Zoti në jetën tonë: ‘Në Të – në Krishtin
– na ka zgjedhur që para krijimit të botës’. I bekuar je o Zot, sepse më ke zgjedhur!
Është gëzimi i afërsisë dhe i ëmbëlsisë atërore”. Lutja e lavdit, vijoi Ati
i Shenjtë, na sjell gëzim, sepse jemi të lumtur para Zotit. Për ta thënë më lehtë,
duhet pikërisht të kujtojmë se Ai na ka zgjedhur që para krijimit të botës. Por, si
mund të kuptohet kjo? E vetë Papa përgjigjet: “Nuk mund të kuptohet e nuk mund
të imagjinohet: që Zoti më njihte, që para krijimit të botës; që emri im ishte në
zemrën e Hyjit. Kjo është e vërteta! Kjo është Zbulesa! Nëse nuk e besojmë këtë, nuk
jemi të krishterë! Ndoshta, jemi të mbruajtur me religjiozitet teist, por nuk jemi
të krishterë! I krishteri është i zgjedhur, i krishteri është në zemrën e Zotit para
krijimit të botës. Edhe ky mendim e mbush me gëzim zemrën tonë: unë jam i zgjedhur!
E kjo na jep siguri”. Emri ynë është në zemrën e Zotit, ashtu si fëmija në
gjirin e nënës, theksoi Papa Françesku. Diçka që nuk kuptohet me mendjen tonë të ngushtë.
Për ta kuptuar duhet të hyjmë në Misterin e Jezu Krishtit. “Në Të, në saje të gjakut
të Tij, e fituam shpërblimin; në Të na u falën fajet me anë të begatisë së hirit të
tij, të cilin Hyji e dikoi në ne bashkë me çdo urti e kuptim. Ai na vuri në dijeni
mbi misterin e vullnetit të vet”, citoi Ati i Shenjtë Letrën e Shën Palit: “Kur
kremtojmë Eukaristinë, hyjmë në këtë Mister, që nuk mund të kuptohet krejtësisht:
Zoti është gjallë, është me ne, këtu, në lavdinë e Tij, në plotësinë e Tij e dhuron
edhe një herë jetën e vet për ne. Këtë sjellje, pra, hyrjen në Misterin e Hyjit, duhet
ta mësojmë çdo ditë. I krishteri është një burrë apo një grua, që përpiqet të hyjë
në këtë Mister. E Misteri nuk mund të kontrollohet: është Mister! E unë hyj”. Lutja
e lavdit, përmblodhi Papa idetë e tij në përfundim të meshës, është së pari “lutje
gëzimi”, pastaj “lutje kujtese”, sepse kujtojmë ç’ka bërë Zoti për mua, me sa ëmbëlsi
më ka shoqëruar e si është përkulur mbi hapat e mia, ashtu si babai që e mëson fëmijën
të ecë. E së fundi, është “lutje drejtuar Shpirtit Shenjt”, që të na japë hirin për
të hyrë në Misterin e Zotit, sidomos kur kremtojmë Eukaristinë.