2014-10-16 19:11:58

Papa Françesku falënderon Presidentin Nishani për mikpritje dhe vlerëson popullin shqiptar si pasuri për Evropën


Përmes një mesazhi falënderimi të dërguar në adresë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani, Papa Françesku shpreh mirënjohje për kreun e shtetit shqiptar, autoritetet e vendit dhe mbarë popullin shqiptar për mikpritjen e ngrohtë dhe elegante gjatë vizitës së tij në vendin tonë. Ati i Shenjtë Bergoglio thekson se “populli shqiptar në saje të forcës dhe rezistencës së tij në kohë vuajtjesh si dhe të gjallërisë rinore, përfaqëson një pasuri për mbarë kontinentin evropian”.
“Zoti President, në vazhdën e Udhëtimit tim të paharrueshëm Apostolik, dëshiroj t’ju shpreh edhe një herë Ju, autoriteteve të tjera si dhe mbarë popullit shqiptar, mirënjohjen time nga zemra për mikpritjen e ngrohtë dhe elegante që më ofruat mua dhe atyre që më shoqëronin. U kënaqa që nëpërmjet pranisë sime munda të tregoj afërsinë time si dhe të gjithë Kishës me popullin e Shqipërisë, i cili në saje të forcës dhe rezistencës së tij në kohë vuajtjesh si dhe të gjallërisë rinore, përfaqëson një pasuri për mbarë kontinentin evropian.”- thuhet në mesazhin e Atit të Shenjtë.
“Zoti President, nëpërmjet lutjeve ushqej shpresën time që ju dhe qytetarët tuaj do të jetoni me drejtësi, në paqe dhe vëllazëri dhe do të vazhdoni të dëshmoni në mënyrë mbresëlënëse marrëdhëniet tuaja të respektueshme mes pjesëtarëve të bashkësive të ndryshme fetare. Do të vazhdoj të lutem për ju si dhe për aspiratat tuaja për përparim të mirëfilltë si dhe t’ju kërkoj lutjet tuaja për mua. Vëllazërisht, Françesku”- përfundon mesazhi i Papa Franceskut.







All the contents on this site are copyrighted ©.