Më 16 tetor shënohet përvjetori i zgjedhjes së Gjon Palit II Papë.
Kisha përkujton sot datën e 16 tetorit të vitit 1978, përvjetorin e ditës së zgjedhjes
së Papës Gjon Palit II në selinë e Shën Pjetrit. Më 22 tetor të vitit 1978 nisi solemnisht
misioni papnor i Karol Wojtiles, një papni ndër më të gjatat në historinë e Kishës
e cila zgjati gati 27 vjet. Përvjetori i zgjedhjes së Shën Gjon Palit II në selinë
e Shën Pjetrit shënohet me emocion e mirënjohje ndaj Hyjit që i dhuroi Kishës e njerëzimit
një figurë kaq të veçantë siç qe Papa Wojtila. Kombi e Kisha shqiptare e kujtojnë
me dashuri e mirënjohje të thellë për gjithë ndihmën, dashurinë e mbështetjen që dha
për rimëkëmbjen e lirisë, të demokracisë e të hierarkisë së Kishës martire e të popullit
të vuajtur e të dashur shqiptar. Është thënë e përsëritur shpesh për cilësitë njerëzore
dhe shpirtërore që e bënë të dashur dhe të paharrueshëm Papën polak nëpër botë e edhe
ndër shqiptarë. Tematikat që karakterizuan magjisterin e tij mund të gjinden qysh
në fillim të papnisë së tij. Qe një magjister i mbushur me dashuri kundrejt Kishës
dhe njeriut, e i shoqëruar nga aftësitë komunikuese të jashtëzakonshme. Zëri i
Shën Gjon Palit II jehonte me vendosmëri për të kumtuar fytyrën e Krishtit dhe për
të denoncuar fytyrat e së keqes – një zë i vendosur, i aftë për të denoncuar padrejtësitë,
shkeljet e të drejtave themelore të njeriut e të popujve. Një zë i dashur e përherë
pranë atyre që vuanin nga persekutimet, tiranitë e pësonin padrejtësish dhunë. Një
zë profetik që tregonte pareshtur udhën e respektit e të dashurisë vëllazërore ndërmjet
popujve e feve. Ishte mënyra e tij për të kuptuar e çuar përpara misionin e vet
në përputhje me nevojat e Kishës e të popujve të mbarë botës përtej kufijve. Pavarësisht
nga kalimi i viteve, kujtimi për Shën Gjon Palin II është përherë i gjallë e dëshmitarët
janë ende të panumërt. Fakti që ishte i pari Papë në udhëheqje të Kishës jo italian
pas disa shekujsh, ardhja e tij nga Lindja e regjimeve komuniste, mosha relativisht
e re, posaçërisht fjalët e tij të vetvetishme e të pazakonta në Lozhën e Bazilikës
së Shën Pjetrit në Vatikan, flisnin vetë për një personalitet të fortë e të lirë,
që do të dinte të vendoste një lidhje të drejtpërdrejtë, ta bënte për vete popullin
e krishterë, e më tej, edhe botën mbarë. Një vetëdije e qartë – e përvujtë por
e fuqishme në fe – e madhështisë së thirrjes e të misionit së tij. Vetë Gjon Pali
II na dëshmoi se Primati i Polonisë, kardinali Vishinski, i pati thënë, në ditët vendimtare
të zgjedhjes, se ishte i thirrur t’i printe Kishës në mijëvjeçarin e tretë. E kjo
edhe ndodhi, pavarësisht nga atentati e nga sëmundjet, duke hedhur poshtë realizmin
mosbesues me të cilin e ndiqnin shumë prej nesh. E Shën Gjon Pali II i priu një
Kishe jo të mbyllur në vetvete, por të hapur dhe të aftë për të përballuar me guxim
sfidat e kohës: që nga ‘Mos kini frikë!”, shqiptuar në ditët e para të papnisë, deri
tek ‘Duc in altum’ – ‘Dil në det të hapur!”, në vitet e fundit, Papa Vojtila na dhuroi
pasionin e kumtimit të Krishtit pa frikë, për një botë të pafundme e të trazuar, por
gjithnjë të dashur nga Zoti, edhe në mijëvjeçarin e tretë. Ta mbajmë të gjallë këtë
trashëgimi! Një zjarr zëri dhe idesh, tonalitetesh dhe vlerash, kujtimi i të cilave
ka prirje të mjegullohet në kujtesë e të zëvendësohet nga kujtime më të vonshme, më
të vuajtura, më të flashkëta. Ndërsa ne duam ta kujtojmë Karol Vojtiuën në muajt
e parë në Katedrën e Shën Pjetrit, duke e ndjekur në rrjedhën e zakonshme që karakterizonte
ditën e Papës, në takimet e tij me njerëzit, në mësimin e tij të Ungjillit për çdo
lloj kategorie njerëzish, duke dëgjuar disa copëza të fjalimeve të tija më të zakonshme
e për këtë arsye edhe të lëna mënjanë nga retrospektivat biografike tashmë të njohura
–e shpesh disi përsëritëse – që kanë të bëjnë me të. Ishte Papë që prej tre muajsh
e s’do të kalonte shumë e duke shkuar në Meksikë e në Puebla do të linte në kronikat
e Kishës dhe të botës, shenjën e tij të parë të fortë të cilësive të tija apostolike.
Qysh në sallën e aeroportit të Fiumiçinos, përpara nisjes, Gjon Pali II, duke folur
me gazetarët, tregon se e ka të qartë vizionin e tij për rrethanat historike. Lufta
e ftohtë ishte ende larg varrosjes së saj nën rrënojat e Murit të Berlinit dhe planeti
i ndarë në dy blloqe lëkundej ndërmjet frikës dhe mosbesimit. E prapëseprapë Papa
i ri e di se ka një vlerë më të madhe sesa ideologjitë apo leverditë ekonomike tek
e cila mund të mbështetet, - siç edhe bëri, - ai që e ka vërtetë për zemër të tashmen
dhe të ardhmen e njerëzimit. Ishte 25 janari i viti 1979: “Sigurisht, situata e
përgjithshme e botës së sotme, e kontinenteve të ndryshme, e sistemeve të ndryshme,
nuk është një situatë e thjeshtë, por mjaft e ndërlikuar. Nga ana tjetër do të doja
të isha optimist, sepse ajo çka është e mirë tek mendja dhe tek zemra e njeriut mund
të fitojë. Është detyrë e Kishës, është detyrë e imja, të ndihmojë atë qëështë
e mirë në mendjen njerëzore, në zemrën njerëzore, për të fituar mbi të keqen.” Ndërsa
fjala që mbajti në Pueble qe si një bubullimë. Por që përpara e pas Krishtlindjes
së vitit 1978, Papa i kishte mëshuar edhe temave të tjera qendrore të magjisterit
të tij që do të vërtitej rreth “qenies njerëzore.” duke filluar që nga njeriu i palindur
e prandaj edhe i paaftë të mbrohet ndaj abuzimeve. Ja sesi u drejtohej atyre që në
repartet e një spitali përpiqen të ndërthurin besimin me profesionalizmin. “Shërbimi
ndaj jetës duhet t’i gjejë të impenjuar, me entuziazëm të bollshëm, mbi të gjithë
mjekët katolikë, të cilët në besimin e tyre në Zotin krijues, pasqyrë e të Cilit është
njeriu, dhe në misterin e Fjalës së Amshuar të zbritur nga qielli te trupi i brishtë
i një foshnjeje të pambrojtur, gjejnë një arsye të re e më të lartë për përkushtim
të zellshëm, për përkujdesje e për tutelë të painteres për çdo vëlla, veçanërisht
nëse është më i vogël, i varfër, i paaftë e i kërcënuar.” Kjo ishte masa e
besimit të Papës “që kishte ardhur nga larg”. Një njeri dhe një meshtar mësuar në
vendin e tij të mbrojë duke luftuar ato vlera që të krishterët nga kjo anë e Murit
të Berlinit përjetonin me një natyrshmëri shpeshherë të mbrujtur me sipërfaqshmeri.
Një mbrojtje konkrete, e kthjellët, siç dëshmoi duke folur për drejtësinë shoqërore
gjatë një audience me një grup punëtorësh të krishterë. Ishte 9 dhjetori i viti 1978
dhe mendimet e tij janë tepër aktuale ende sot, ndonëse kanë kaluar 30 vjet. “U
bëj thirrje ndërgjegjeve të të gjithëve, të punëdhënësve dhe të punëtorëve. Të drejtat
dhe detyrat u përkasin të dyja palëve, dhe në mënyrë që shoqëria të ruajë drejtpeshimin
e paqes dhe të mirëqenies së përbashkët, është i nevojshëm impenjimi i të gjithëve
për të luftuar dhe për të fituar kundër egoizmit. Sigurisht një ndërmarrje e vështirë
kjo, por i krishteri duhet të jetë i drejtë në gjithçka e me gjithkënd, si në shpërblimin
e punës dhe në mbrojtjen e punës, ashtu edhe në shpenzimin e forcave të veta. Në
fakt ai duhet të jetë gjithkund dëshmitar i Krishtit, e rrjedhimisht edhe në punë.”