Papa Françesku: masa të shpejta për zhdukjen e armëve bërthamore e kimike
Papa Françesku kërkon marrjen e masave për zhdukjen e armëve të shkatërrimit në masë,
duke filluar nga armët bërthamore e ato kimike: kështu pohoi në Pallatin e Qelqit
në Nju Jork, vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, Imzot Bernardito Auza. Prelati
denoncoi mungesën e përparimeve në fushën e çarmatimit bërthamor. “Paaftësia e shteteve,
që zotërojnë armë bërthamore, për të hapur bisedime që çojnë në zvogëlimin e mëtejshëm
të rezervave ekzistuese është shqetësuese – theksoi imzot Auza – e ‘modernizimi’ i
disa sistemeve dhe rritja e numrit të këtyre armëve është edhe më shqetësuese”. Traktati
për mospërhapjen e armëve bërthamore nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara. “Selia
e Shenjtë – vijoi më tej vëzhguesi i Vatikanit – mendon se duhet shkuar përtej politikës
së parandalimit e duhet punuar për një paqe të qëndrueshme, bazuar mbi besimin e ndërsjellë”.
Për këtë, u kërkon të gjitha shteteve të nënshkruajnë e të ratifikojnë Traktatin për
ndalimin e përgjithshëm të provave bërthamore si edhe të caktojnë zona të lira nga
armët e shkatërrimit në masë. Ky do të ishte një hap i rëndësishëm drejt një marrëveshjeje
universale për eliminimin e këtyre armëve. Imzot Auza kujtoi denoncimet e vazhdueshme
të Papës Françesku për tregtarët e armëve, lakmia e të cilëve për para ushqen konfliktet
e si pasojë, edhe vuajtjet e patregueshme e dhunimin e të drejtave të njeriut. “Deri
kur një sasi kaq e madhe armësh do të vazhdojë të qarkullojë – përfundoi prelati –
do të gjenden gjithnjë pretekste të reja për fillimin e armiqësive e, lehtësia për
të pasur armë do të nxisë ushtrimin e dhunës kundër popullsive të pafajshme”.