Duhej të ishte një ndeshje futbolli, ajo e mbrëmshja ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë,
për kualifikimin në Kampionatin Evropian të vitit 2016. Do të duhej që tri javë para
ndeshjes, mediat e të dyja shteteve t’u shpjegonin njerëzve se futbolli është LOJË
e fusha e gjelbër, terren, ku lojtarët e të dyja skuadrave luftojnë për një rezultat
sportiv e jo për ndonjë pushtet politik e as për partizanëri kombëtare. Do të duhej
që të qetësoheshin shpirtrat e ndezur të tifozëve, që i pritën futbollistët me britmat
“Vritni shqiptarët”. Do të duhej që policia, në vend që të rreshtonte autoblindat,
të punonte me shërbimin e sigurimit për të parandaluar çdo lloj ardhjeje nga jashtë,
qofshin ultranacionalistë si Ivani “i Tmerrshëm”, qofshin drone të çfarëdolloji. Do
të duhej që të dyja tifozeritë të kishin kushte për të ndjekur normalisht lojën e
jo vetëm njëra në stadium, ndërsa tjetra me qindra kilometra larg, para televizionit
apo nëpër sheshe. Do të duhej që futbollistët të kishin mundësi të largoheshin pa
probleme nga fusha, kur vendosën për këtë, e jo nën breshërin e objekteve të çfarëdoshme,
që u binin mbi kokë. Do të duhej që tifozët shqiptarë, të cilët i pritën si heronj
kombëtarë lojtarët, t’i largoheshin tundimit për të rrahur gjoksin “ah ç’ua bëmë mirë!”,
siç në të vërtetë po ndodh nëpër të gjitha rrjetet shoqërore e mediat. Do të duhej
të dilte emri i personit, apo personave, që kishin në dorë telekomandën e dronit e
jo vetëm videot e përgatitjes së flamurit në faqe të ndryshme interneti… por, është
e kotë të flasësh “pas pilafit”, apo jo. Mbetet spektakli i një shfaqjeje të turpshme
vënë në skenë nga njerëz, që s’dinë ç’është qytetërimi. Ndoshta ia vlen të kujtojmë
se ç’është sporti në të vërtetë, përmes fjalëve të Papës Françesku para delegatëve
të Komiteteve Olimpike Evropiane, mbledhur në Romë më 23 nëntorin e vitit 2013, me
rastin e asamblesë së tyre të përgjithshme. Ndonëse të vjen të komentosh: “E tha,
po kujt ia tha!”: “Praktika sportive nxit kapërcimin e shëndoshë të vetvetes
e të egoizmave personale, e stërvit njeriun me shpirtin e sakrificës e, nëse programohet
mirë, favorizon besnikërinë në marrëdhëniet ndërpersonale, miqësinë, respektin e rregullave…
Kjo është e mundur, sepse gjuha e sportit është universale, kapërcen kufij, gjuhë,
raca, fe dhe ideologji; zotëron aftësinë për t’i bashkuar njerëzit, duke favorizuar
dialogun dhe mikpritjen. Kjo është pasuri shumë e çmuar! …Është tipike e veprimtarisë
sportive të mos përçajë! Të ndërtojë ura e jo mure”.