2014-10-14 15:58:10

Sinodi/Durim e delikatesë për familjet me probleme. Flet kryeipeshkvi i Rigës në Letoni


Vijon në Vatikan, Sinodi i jashtëzakonshëm për Familjen, përqendruar në punën e grupeve të vogla, të cilat kanë për bazë argumentet e paraqitura në Relacionin pas diskutimeve në asamblenë e përgjithshme të ipeshkvijve. Sot, në takimin me gazetarët, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, u sqarua se ky nuk është relacioni përfundimtar i Sinodit, por të shtunën, do të paraqitet një tjetër, që do të jetë pikërisht “Relatio synodi”, mesazh i etërve sinodalë për të gjitha familjet e botës.
Prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Fernando Filoni, theksoi se “Relatio post disceptationem” (Relacioni pas diskutimeve) është dokument pune për grupet e vogla, por nuk përmban vendimet përfundimtare:
“Në thelb – tha ai – ideja jonë është se po punojmë për t’i dhënë Atit të Shenjtë një rezultat, mbi të cilin ai vetë do të marrë vendime në momentin e tretë të Sinodit, pra, në asamblenë e përgjithshme të zakonshme (e jo të jashtëzakonshme) në tetor 2015.”
Është Papa Françesku ai, që duhet të vendosë se cilat nga propozimet e etërve sinodalë do të bëhen praktikë e zakonshme baritore për Kishën Katolike. Problemet kryesore të shoqërisë së sotme, lidhur me familjen, si të divorcuarit e rimartuar dhe bashkimi ndërmjet homoseksualëve, janë temat që kanë dalë më në pah nëpër gazeta e komente, por Sinodi synon t’i shohë çështjet familjare nga të gjitha këndvështrimet. Gjithsesi, pikërisht për këto probleme, kardinali Peter Erdë, që paraqiti dje Relacionin pas diskutimeve, nënvizoi:
“Duke u bërë e nevojshme një shoshitje shpirtërore përsa u përket bashkëjetesave, martesave civile e të divorcuarve të rimartuar, i takon Kishës të njohë e t’i shohë ato fara të Fjalës së Zotit, që janë përhapur përtej kufijve të saj të dukshëm e sakramentorë… Kisha u drejtohet me respekt atyre, që marrin pjesë në jetën e saj në mënyrë jo të plotë e jo të përsosur, duke vlerësuar vlerat më pozitive që bartin e jo vetëm kufizimet e mungesat”.
Por si po vazhdon diskutimi mbi këto tema e të tjera në grupet e vogla. Ia drejtuam mikrofonin kryeipeshkvit të Rigës, imzot Zbignev Stankevičs:
Që dje pasdite filluam punën në grupet e vogla. Përpiqemi të korregjojmë disa shprehje, sipas meje jo të rregullta, në “Relatio”. E bëjmë këtë për të hartuar një tekst përfundimtar më të ekuilibruar, që u përgjigjet më mirë sfidave të sotme. Jam i bindur se detyra kryesore e Sinodit është ripohimi i së vërtetës ungjillore për martesën. Sot, familja sulmohet jashtëzakonisht fort, prandaj detyra kryesore e etërve sinodalë nuk është të hapin ndonjë derë të papërcaktuar mirë, por të zbatojnë në situatën e sotme mësimet e Kishës. Sigurisht që është e nevojshme një hapje e duhet t’u japim përgjigje sfidave të kohës, për sa është e mundur. Por, pa e humbur identitetin katolik e pa hequr dorë nga e vërteta mbi martesën.
Pra, një Kishë që i jep një shtysë botës, e jo një Kishë që shtyhet nga bota?
Po, është pikërisht kështu, sepse kur Kisha e lejon botën ta shtyjë, rrezikon të humbë identitetin. Nëse humbim identitetin, na mungon kripa. E nëse na mungon kripa, bota nuk ka më nevojë për Kishën. Kisha nuk shërben për ta kënaqur botën, por për t’i dhënë asaj kripën, për të treguar të vërtetën që vjen nga lart. Ne na ka njohur Zoti me Zbulesën, prandaj detyra jonë është ta transmetojmë këtë Zbulesë në mënyrë që të jetë sa më e kuptueshme, duke pasur parasysh vështirësitë e botës. Kemi qenë tepër të rreptë nganjëherë, prandaj duhet që të kthehemi edhe ne në udhën e Hyjit. Duhet ta bëjmë këtë me përvuajtëri, me mëshirë ndaj botës, por e vërteta mbetet, e vërteta është objektive. Nuk mund të themi se secili mund ta interpretojë si të dojë.
Ju thatë se familja sot sulmohet nga të gjitha anët. Ky koncept është shprehur edhe 20 vjet më parë nga shën Gjon Pali II në Letrën e tij për familjet. Papa i atëhershëm akuzonte të pushteshmit, që financojnë programe kundër familjes. Kjo vlen edhe sot?
Po, sepse proceset zhvillohen e ai sulm, sot, merr forma të tjera. Për shembull, ideologjia gjinore sot, është shumë e fuqishme: pohon se secili mund ta zgjedhë identitetin e vet, madje edhe atë seksual e biologjik, por kjo nuk është e vërtetë. Ky sulm kundër familjeve ka marrë forma të reja, mbështetet nga shumë kombe, nga lobby që shohin iteresat e tyre, të cilat duan t’ia imponojnë gjithë botës. Personalisht, kam takuar shumë njerëz, edhe jo besimtarë, që kërkojnë të vërtetën. Vërej se në botë po rritet opozita kundër prirjeve për ta shkatërruar familjen.








All the contents on this site are copyrighted ©.