2014-10-14 14:07:46

Londër: Kisha Katolike dhe ajo anglikane përshëndesin mocionin për njohjen e shtetit të Palestinës


Kisha Katolike dhe anglikane në Mbretërinë e Bashkuar shprehin kënaqësi për miratimin e mocionit, që kërkon njohjen e shtetit të Palestinës. Dje, Dhoma e Komuneve në Londër miratoi me 274 vota pro e me abstenimin e qeverisë, një mocion me anë të të cilit Dhoma e Ulët e parlamentit britanik i kërkon qeverisë së kryeministrit David Cameron të njohë Palestinën si shtet. Deputetët shpresojnë që kjo të ndihmojë procesin e paqes, pavarësisht se votimi nuk e detyron qeverinë të zbatojë mocionin, pra, mbetet simbolik. Vërtet, ekzekutivi britanik sqaroi menjëherë se nuk ka ardhur akoma koha për njohjen e Palestinës. Gjithsesi, ky votim është historik, pasi është hera e parë që një shtet evropian shprehet në favor të njohjes së Shtetit të Palestinës, megjithë protestat e Izraelit.
Njohja e së drejtës së palestinezëve për të pasur shtetin e tyre, të cilin të mund ta quajnë “atdhe”, “nuk mund të shtyhet më”, shkruajnë në një deklaratë të përbashkët, ipeshkvi anglikan i Konventrit, Christopher Cocksworth dhe, ipeshkvi katolik i Kliftonit, imzot Declan Lanf, kryetar i departamentit të punëve të jashtme për Konferencën Ipeshkvnore të Anglisë dhe Uellsit.
“Kjo njohje në parim do t’i lehtësojë e jo pengojë bisedimet ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve për t’u marrë vesh mbi hollësitë e këtij shteti të ri sovran, krijuar në kufijtë e një Izraeli të sigurtë”, nënvizohet në notën, që shpjegon se paqja kërkon largpamësi. Njohja e dy shteteve, me kthimin në kufijtë e vitit 1967, u theksua si mundësia më e mirë për paqen edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, për vizitë në Ramallah e Jeruzalem.








All the contents on this site are copyrighted ©.