2014-10-14 13:24:38

Ju kumtojmë lajmin e mirë”: leximi i Ungjillit të Markut


Në rubrikën “Ju kumtojmë lajmin e mirë”, vijojmë leximin e kapitullit të gjashtë të Ungjillit sipas Markut, sot vargjet 30-44.RealAudioMP3 Kjo pjesë ungjillore, që njihet si tregimi i “shumimit të bukëve”, në të vërtetë është tregimi i lidhjes së thellë të njerëzve me Jezusin e anasjelltas. Nxënësit janë kthyer nga misioni (i lajmëruar në vargjet 6-13) dhe Jezusi i fton të rrinë vetëm me të. Kemi të bëjmë me dy qëndrimet kryesore të Kishës: hapja ndaj të gjithëve (misionariteti) dhe kthimi tek themeli i saj i vërtetë, që është Krishti. Kisha, që di të dalë nga vetvetja në emër të Jezusit, di edhe të kthehet gjithmonë tek Jezusi. Kthimi i saj tek Biri i Hyjit, megjithatë, nuk do të thotë tërheqje e plotë nga bota. Njerëzit nuk e lënë të qetë një Kishë, në të cilën Jezusi është vërtet i pranishëm: “Në të vërtetë, aq shumë njerëz vinin e shkonin, saqë nuk kishin kohë as të hanin” (v.31), prandaj, sado që Kisha të përpiqet të ikë nga bota, për të ndenjur me Jezusin, aq më shumë bota do ta kërkojë Kishën. Dhe ashtu ndodh në këtë fragment të Ungjillit sipas Markut. Pasi apostujt largohen me Jezusin në varkë, “Kur po zbrisnin nga varka, Jezusi pa një turmë të madhe, e cila iu dhimbs, sepse ishin si delet pa bari” (v.34).
Shpesh herë Kisha ankohet pse njerëzit nuk e kërkojnë më. Sigurisht, ideologjitë e kësaj bote i çorodisin njerëzit dhe i largojnë nga bashkësia kishtare, por Kisha duhet ta pyesë veten: a është Jezusi brenda saj? Ai Jezus, që i shikon njerëzit me dhembshuri, sepse e di se janë si delet pa bari. Ai Jezus, që është Bariu i mirë, i cili jep jetën për delet e veta. Njeriu i të gjitha kohërave ka nevojë për këtë Jezus dhe e kërkon gjithmonë. Kisha duhet ta dijë se Jezusi është në qendër të saj, por ai nuk është aty vetëm për kishën. Ai ka ardhur për të gjithë, prandaj edhe ajo vetë duet të jetë Kishë për të gjithë.
Tundimi i bashkësisë së krishterë për t’i ndarë njerëzit nga Biri i Hyjit është i hershëm. Marku na tregon se, pasi Jezusi i mësoi të pranishmit për shumë gjëra, apostujt iu afruan e i thanë: “Vendi është i shkretë dhe është vonë. Lëri të shkojnë nëpër fshatrat dhe fushat përreth, që të blejnë diçka për të ngrënë” (v.36). Por Jezusi dëshiron që Kisha e tij të lidhet me fatet dhe me gjendjen e njeriut ashtu siç është lidhur ai vetë me të gjithë njerëzit dhe me çdo njeri në misterin e mishërimit. Mishërimi i Krishtit prek thellë natyrën e Kishës, prandaj Jezusi u drejtohet apostujve e u thotë: “Jepuni ju të hanë” (v.37). Kisha tregon se është e lidhur me Jezusin vetëm nëse lidhet ngushtë me njerëzit e me fatet e tyre. Asnjë arsye nuk duhet të jetë e mjaftueshme për t’u ndarë nga njerëzit, as nevoja e pandehur që mund të kenë ata për t’u ushqyer. Ajo vetë duhet të gjendet e gatshme, për t’u dhënë ushqimin që ka falë bashkimit me Krishtin:Eukaristinë, për të cilën do të flasim në numrin e ardhshëm të rubrikës sonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.